Këshilli i Ministrave të BE-së më 9 mars kishte miratuar në lexim të parë lëvizjen pa viza për qytetarët e Kosovës. Procedura e radhës u bart në Komisionin për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) për një votim sërish.
Hedhja në votim e dosjes së liberalizimit të vizave për Kosovën u planifikua për sot, por kjo u vu në agjendën e së nesërmes të LIBE.
Zëdhënësi i Parlamentit Europian, Janne Ojamo, ka thënë për Gazetën Express se në vend të ditës së sotme, për këtë çështje LIBE voton nesër.
“Në vend të ditës së sotme do të ndodhë nesër, por prapë këtë javë”, ka thënë shkurt ai.
Në agjendën e publikuar nga Parlamenti Europian, pika për Kosovën është e para që do të shqyrtohet nesër.
“Vizat për vendet e treta (Kosovo*). Votimi i draft-rekomandimeve për leximin e dytë. Raportues: Thjis Reuten”.
Më 12 janar të këtij viti, LIBE kishte votuar pro liberalizimit të vizave. Ndërkaq, për votimin e dytë që do të bëhet nesër, Ojamo në një përgjigje më herët për Express kishte thënë se kjo procedurë duhet të ndodhë prapë.
“Këshilli ka miratuar së fundi marrëveshjen për liberalizimin e vizave dhe për shkak se ajo është një marrëveshje e leximit të dytë (qëndrimi i Parlamentit është miratuar në vitin 2019 para zgjedhjeve të mëparshme), ne kemi nevojë që të hedhim në votim prapë në LIBE për të miratuar qëndrimin e Këshillit”, kishte thënë ai.
Për liberalizimin e vizave do të votojë edhe Parlamenti Europian. Sipas një draft agjende votimi në PE do të ndodhë më 18 prill.
Sipas vendimit të institucioneve të BE-së, heqja e vizave për Kosovën do të zbatohej që nga data kur Sistemi Europian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) do të hynte në fuqi në nëntor të këtij viti. Mirëpo ky shans është humbur meqë funksionalizimi i ETIAS është shtyrë për 2024-ën. Sidoqoftë, kosovarët do të mund të udhëtojnë lirshëm nga 1 janari 2024.
Miratimin e fundit të Këshillit të Ministrave për këtë çështje e pati konsideruar vendim të rëndësishëm eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, që u caktua edhe raportues për vizat.
“Hapi tjetër do të jetë miratimi në Parlamentin Europian që pritet të ndodhë në prill. Nuk do të ketë më ndryshime në përmbajtjen e marrëveshjes. Kjo nënkupton që liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi ose në të njëjtën kohë me ETIAS ose më së largu më 1 janar 2024. Kjo nënkupton që jo më larg se vitin e ardhshëm, Kosova përfundimisht do ta ketë udhëtimin e merituar dhe të vonuar pa viza në BE”, kishte thënë ai për Express.
Pas hedhjes në votim edhe në PE, hapat e mbetur për këtë proces janë:
-Akti ligjor duhet të nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së: Komisioni Europian, Këshilli Europian, Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian,
-Vendimi duhet të publikohet në gazetën zyrtare,
-Liberalizimi i vizave hyn në fuqi në afatin e dakorduar.