Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se mbështet protestën e thirrur më 7 gusht nga OVL e UÇK-së, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Ai thotë se “Protesta kundër padrejtësisë” është protestë ku do të marrin pjesë qytetarë pa dallim partie dhe bindjeve tjera, në mbrojtje të vlerave të luftës, derisa shton se UÇK zhvilloi luftë të drejtë, në pajtim me normat ndërkombëtare, transmeton Klankosova.tv.
Ndër të tjera, Lladrovi bëri me dije se ka rezervuar pesë autobusë që do të jenë në shërbim të qytetarëve të Drenasit, derisa shtoi se nëse do të ketë nevojë, mund të sigurohen edhe të tjerë.
“Me ftesë të Shoqatës së të Burgosurve Politikë në Drenas, Shoqërisë “Lëvizja” dhe OVL-së së UÇK-së, u mbajt takimi konsultativ për mbështetjen e “Protestës kundër padrejtësisë”. Në takimin konsultativ mora pjesë bashkë me përfaqësues të dy shoqatave dhe subjekteve politike në Komunën e Drenasit, z. Naim Bujupi, z. Izet Ibrahimi, z. Beqir Kiqina, znj. Egzona Tërdevci, ndërsa pjesëmarrjen e kishin konfirmuar edhe z. Egzon Qorri dhe z. Enver Hajdari, nga OVL të UÇK-së, por, nuk morën pjesë në takim”.
““Protesta kundër padrejtësisë” është protestë ku do të marrin pjesë qytetarë pa dallim partie dhe bindjeve tjera, në mbrojtje të vlerave të luftës. UÇK zhvilloi luftë të drejtë, në pajtim me normat ndërkombëtare dhe vlerat e saj na bashkojnë të gjithëve. Në takim theksova se protesta është e ftuar nga shoqatat e dala nga lufta, por, na takon të gjithëve në Komunën e Drenasit ta përkrahim këtë kauzë të drejtë në mbrojtje të vlerave të luftës”, ka shkruar Lladrovci.
“Me qëllim të pjesëmarrjes masive në Prishtinë, i kam rezervuar pesë autobusë që do të jenë në shërbim të qytetarëve, nëse do të ketë nevojë, mund të sigurohen edhe të tjerë. Nuk kemi heronj për të humbur!”.
