Në shënimin e 15-vjetorit të Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, e drejtuar nga humanisti Halil Kastrati, u përkujtuan aksionet e shumta humanitare që kanë ndryshuar jetën e qindra familjeve. Mes tyre, u veçua aksioni “Pak nga ne, shumë për ata”, përmes të cilit u ndërtuan 164 shtëpi, ndërsa qindra të tjera u rinovuan.
Gjatë ceremonisë, u përmend kontributi i madh i Shoqatës dhe përkushtimi i Halil Kastratit në zbutjen e gjendjes së rëndë për shumë familje në komunën e Gjilanit dhe përtej saj.
Ish-kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, u vu në qendër të vëmendjes duke lënë në hije kryetarin aktual të Komunës, Alban Hysenin pasi falënderoi personalisht z.Kastrati dhe Shoqatën për bashkëpunimin gjatë mandatit të tij.
Ai nënvizoi se shumë projekte humanitare u realizuan gjatë periudhës kur ai drejtonte komunën, duke shfaqur krenari për rezultatet e arritura.
Lutfi Haziri mbetet një figurë e spikatur në politikën lokale dhe kombëtare, duke shënuar disa arritje unike gjatë karrierës së tij. Ai ka qenë kryetari më i ri në Kosovë i zgjedhur me votë të qytetarëve pas luftës, duke u shpallur më pas edhe kryetari më i ri në Evropën Juglindore në nivel të pushtetit lokal.
Pavarësisht kalimit të viteve dhe sfidave në skenën politike, Haziri vazhdon të jetë një ndër politikanët më të pëlqyer nga qytetarët e Gjilanit.