Kryetari i PD-së, Sali Berisha, në një konferencë me gazetarët këtë të shtunë, u pyet nëse do të paraqitet të hënë, duke zbatuar kështu masën ndaj tij “detyrim paraqitje”.
Kryedemokrati u përgjigj duke thënë se të hënën do të zbatojë masën ‘detyrim paraqitje’, ndërsa thekoi se masa është vënë pasi ai po sulmon SPAK dhe GJKO.
Ndër të tjera Berisha tha ‘kemi të bëjmë me një krim të shëmtuar kushtetues’.
“Mësova më vonë dhe dua t’ju konfirmoj se kemi të bëjmë me një krim të shëmtuar kushtetues. Skapistët të tmerruar nga krimi i tre kanë kryer një krim tjetër. Kanë kërkuar vendosen e masave të sigurisë sepse Berisha po sulmon SPAK dhe Gjykatën, Irenën dhe Dumanin. Zbatuan urdhrin e Edi Ramës pasi janë tmerruar nga denoncimet nga vjedhjet që kanë bërë. Të kesh 3 banesa me rrogë shteti dhe të banosh në një të katërt, e kuptoni vetë ju çfarë po ndodh, e merrni me mend se si janë larë paratë me thasë. Këtë mësova unë. E kam bërë të qartë, që unë, gjersa është një proces që buron nga parlamenti, do paraqitem.
Nuk kam kërkuar gjë tjetër, vetëm parlamentin. Këtu nuk ka nevojë sepse parlamenti ka dhënë një autorizim për arrestimin tim, pastaj se çfarë bëjnë këta me njëri-tjetrin, urdhëro tani. Bëhen bashkë Irena me 5 mbiemra dhe Dumani me 4 banesa, dhe thonë po na i përmend Sali Berisha. Jo do ua përmend, por do ua nxjerr për hundësh unë atyre se aty kemi të bëjmë me vjedhje 100 përqind.“, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së sulmoi edhe kryeprokurorin Altin Dumani, për të cilin tha se po mbron krimin elektoral të mazhorancës.
“Altin Dumani është po aq kriminel elektoral sa Taulant Balla, Damian Gjiknuri… ka mbyllur dosjet e krimeve elektorale, e vrasësve serial. Ndërsa Rama do më çdo kusht që partia e tij të vazhdojë të jetë në pushtet, se i dalin të gjitha krimet pastaj”.