Live

Mbahen Lojërat Tradicionale të Rugovës, “Rugova 2025”

16:05 / 03 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Në fshatin Bogë të Rugovës, të Komunës së Pejës, sot janë mbajtur Lojërat Tradicionale të Rugovës, “Rugova 2025”.

Në këto lojëra, që organizohen për mbi 30 vite, shfaqet forca, shkathtësia dhe mençuria mes pjesëmarrësve.

Garuesit morën pjesë në këto disiplina: Rrëzimi i duarve, hedhja e llastarit, hedhja e gurapeshit, tërheqja e litarit, ngjitja në shilor, etj. Manifestimi u shoqërua edhe me program artistik.

Në hapjen e këtyre lojërave mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me një delegacion qeveritar, sikurse edhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri

Kurti tha se në këto lojëra, ku shfaqet forca, shkathtësia dhe mençuria, po bashkohen pikërisht gjeneratat për të përcjellë jo vetëm vlerat e fisit të Kelmendit dhe të komunitetit të Rugovës, por edhe frymën e bashkësisë që e ka ruajtur këtë traditë për dekada.

“Në këto fusha e male, nuk garojnë vetëm individët, por ringjallen zakonet, legjendat dhe forca shpirtërore e maleve tona të larta. Ky manifestim është edhe një ftesë për ne si shtet dhe si shoqëri që të mos e shohim trashëgiminë vetëm si diçka që e ruajmë nëpër muzetë e shtetit, por si diçka që jetohet, që zhvillohet, që na bashkon. Lojërat si këto janë pasuri kombëtare që i japin shpirt të gjallë territorit dhe kuptim të thellë përkatësisë”, deklaroi ai.

Ndërkaq, ai pati edhe një njoftim për banorët e zonët për fillimin e studimit të fizibilitetit nga Qeveria për rindërtimin e rrugës Pejë – Kuqishtë.

Ndonëse nuk tregoi se kur pritet të përfundojnë punimet, ai tha se rindërtimi i rrugës Pejë-Kuqishtë do të kushtojë rreth 15 milionë euro.

Shpërndaje në

U Kopjua