Ditëve të fundit janë raportuar 633 zjarre në gjithë territorin e Kosovës, ndërsa aktualisht janë nëntë vatra aktive, bëri të ditur Agjencia për Menaxhim të Emergjencave (AME) në konferencë të përbashkët për media me Policinë e Kosovës.
Drejtori i AME-së, Genc Metaj, tha se shumica e zjarreve janë lokalizuar falë angazhimit të institucioneve, përfshirë edhe me ndihmën e KFOR-it në Kqiq të Vogël dhe Kamenicë.
Ai bëri thirrje për kujdes dhe paralajmëroi ndëshkime për çdo neglizhencë, raporton EO, transmeton Klankosova.tv.
“Vendi po përballet me zjarre të shumta në gjithë territorin e vendit. AME-ja në koordinim me Policinë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme është duke u angazhuar maksimalisht për të parandaluar 633 zjarre që janë raportuar gjatë ditëve të fundit. Falë angazhimit, zjarret kanë arritur te lokalizohen. Kemi pasur intervenim të KFOR në Kçiq të Vogël dhe në Kamenicë. Nëntë vatra aktive i kemi aktualisht. Gjendja aktuale në vend është stabile, por e brishtë për shkak të thatësive dhe zjarrvënieve të qëllimshme. Ndalohen të gjitha format e zjarreve në hapësira të hapura të vendit. Çdo neglizhencë do të trajtohet seriozisht dhe do të pasojë me dënime ligjore. U apelojmë qytetarëve të angazhohen dhe të marrin veprimet parandaluese. Bashkëpunimi ndërinstitucional është në nivel të duhur. Sfidë është menaxhimi nga qytetarët”, tha Metaj.
Ndërsa, drejtori i Divizioni të komunikacionit rrugor në Policinë e Kosovës, Jeton Rexhepi, bëri të ditur se janë arrestuar 23 persona dhe trajtuar 193 raste që lidhen me zjarrvënie.
Ai kërkoi nga qytetarët të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, sidomos për shkak të temperaturave të larta.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim me AME-në po punon me kapacitet të plotë për të parandaluar zjarret dhe pasojat, qoftë tek njerëzit, qoftë në vendbanime. Policia në kuadër të bashkëpunimeve iu ka përgjigj të gjithave rasteve të raportuara. Janë arrestuar 23 persona dhe trajtuar 193 raste që kanë të bëjnë me shkaktimin e zjarreve. Apelojmë që të kenë kujdes që nga pakujdesia mos të shkaktohet zjarri. Nga temperaturat e larta mundësitë janë më të mëdha për zjarr. U apeloj qytetarëve të kenë kujdes që të kemi më pak zjarre dhe të kemi më shume siguri për banorët”, tha Rexhepi.