Live

Mbledhja e përbashkët me Maqedoninë Veriut, deklarata e Kurtit për çështjen e gjuhës shqipe nxit reagime

08:07 / 19 Nëntor 2024

Nga Kosova Live

A po rrezikohet gjuha shqipe në Maqedoni të Veriut?

Kjo ishte pyetja që iu shtrua Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në prani të homologut maqedonas, Hristjan Mickoski, në një çështje që është shndërruar në shqetësim se po synohet zbehja e përdorimit të shqipes në Maqedoni të Veriut.

“Së pari, kjo është një çështje për Gjykatën Kushtetuese të MV, pasi tre dispozita të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve janë dërguar në Komision të Venecias, dhe këto tri dispozita – paradoksalisht – nuk janë vërë në jetë, nuk janë zbatuar në të kaluarën. Dhe tash, i përket Gjykatës Kushtetuese në MV që ta vlerësojë. Por, duhet ta sqarojmë një gjë. Nuk ka në Maqedoni të Veriut ligj për gjuhën shqipe, dhe nuk ka pasur as në të kaluarën”, tha Kurti.

Kurti dha leximin e vet kushtetues për Maqedoninë e Veriut, se “nuk ka ligj për shqipen, dhe s’ka pasur në të kaluarën” por shtoi se “aty ka ligj që përmend shifrën 20%, por jo ligj për përdorimin e shqipes, por gjuhëve”.

“Ekziston ligji që përmend shifrën 20%, por ai nuk është ligj për shqipen, por përdorimin e gjuhëve. Kjo është e para. Në anën tjetër, besoj që duhet të gjithë të presim për një vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese atje, i cili nuk bën as përjashtime dhe as diskriminim dhe i cili e respekton shumëgjuhësinë atje”.

“Por, në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk mund të thuhet se shqipja ka qenë gjuhë zyrtare e tash po u rrezikohen….Ka organe atje të cilët i marrin vendimet e tyre”, tha ai.

Kjo deklaratë e kryeministrit Kurti ka nxitur reagime.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi pyeti se si është e mundur që Kurti i beson Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut për çështjen e gjuhës shqipe në atë shtet, ndërsa Gjykatën Kushtetuese të Kosovës e linçon për gjithçka dhe sa herë që vendimet e saj nuk i përshtaten.

“Qysh është e mundur kështu?! Albin Kurti i beson Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut për çështjen e gjuhës shqipe në atë shtet, ndërsa Gjykatën Kushtetuese të Kosovës e linçon për gjithçka dhe sa herë që vendimet e saj nuk i përshtaten?!”, ka shkruar deputeti i LDK-së.

Ndërkaq, anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti për qasjen e tij ndaj situatës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Përmes një reagimi në Facebook, Haradinaj theksoi se kryeministri aktual po shmanget nga ngritja e shqetësimeve për padrejtësitë ndaj shqiptarëve në shtetin fqinj.

“Në Maqedoninë e Veriut po shkelet barazia e po nëpërkëmbën të drejtat e shqiptarëve,” shkruan kandidati për deputet nga AAK, duke shtuar se Kurti “në vend që ta ngritë shqetësimin e Kosovës për këtë padrejtësi, po mundohet të nxirret me disa formulime hipokrite duke përmendur Gjykatën Kushtetuese.”

Haradinaj kritikoi faktin se Kurti deklaroi se i beson Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, por ka dilema në atë të Kosovës.

“Të ka kaluar koha e manipulimit edhe në Kosovë por edhe kudo tjetër o kryeministër!” përfundon ai.

Më 27 tetor, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, u ka dërguar letër liderëve të rajonit dhe zyrtarëve më të lartë evropianë dhe amerikanë, duke shprehur, shqetësimin e thellë për zhvillimet e fundit politike dhe kushtetuese në Maqedoninë e Veriut.

Këto, sipas BDI-së, “rrezikojnë arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe parimet e barazisë e stabilitetin në vend.”

Në këtë letër, Ahmeti shpreh “shqetësimin e tij të thellë për zhvillimet e fundit politike dhe kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, që rrezikojnë arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe parimet e barazisë dhe stabilitetit në shtetin shumë-etnik”, thuhej në njoftimin për shtyp të BDI-së.

Sipas tij, 3 vendimet e fundit – plani për shfuqizimin e Ligjit të Gjuhëve, ndalesa për identifikim të përkatësisë etnike në institucionet shtetërore dhe formimi i shumicës qeveritare- paraqesin kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit në tërësi.

Në takimin e 18 nëntorit në Prishtinë, qeveritë e dy vendeve i kanë nënshkruar tri marrëveshje bashkëpunimi.

Palët kanë nënshkruar marrëveshje në fushën e energjisë, atë të arsimit, dhe për lehtësimin e lëvizjes së lirë. Kurti ka thënë se zbatimi do të nisë nga janari i vitit 2025.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...