Live

Miratohet deklarata e përbashkët e Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Shqipërisë

15:13 / 20 Dhjetor 2024

Nga Kosova Live

Mbledhja e përbashkët e parlamenteve të Kosovës dhe Shqipërisë i ka përmbyllur sot punimet e saja.

Ishte kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili bashkë me homologen e tij nga Shqipëria, Elisa Spiropali, me të cilën kishte përpiluar një deklaratë të përbashkët të mbledhjes së sotme.

Kjo deklaratë u hodh në votim nga Konjufca dhe Spiropali dhe u votua nga deputetët e të dyja kuvendeve që ishin të pranishëm sot.

Në këtë seancë, krerët e të dyja vendeve kërkuan më shumë bashkëpunim e koordinim, teksa theksuan mbështetjen e ndërsjellë për njëra-tjetrën.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama tha sot në Prishtinë se dy vendet duhet të ecin bashkë drejt anëtarësimit në BE, duke cituar edhe një fjalim të ish-Presidentit Rugova për miqësinë permanente me SHBA-në.

Rama në fjalimin në seancën e përbashkët të dy kuvendeve tha se shqiptarët janë në rrugën e progresit dhe kanë shansin historik të hyjnë me vlerat e tyre në familjen evropiane.

“20 vjet më parë, në 2004, Presidenti Rugova tha diçka edhe për ne sot, duke na kujtuar se “objektivat e përbashkëta të Kosovës dhe Shqipërisë janë integrimi në BE, NATO dhe në miqësi permanente me SHBA. E themi me bindje të plotë se shqiptarët janë në rrugën e progresit dhe kanë shansin historik të hyjnë me vlerat e tyre në familjen europiane”. Këto fjalë kaq të thjeshta në dukje janë gjithçka, që na duhet dhe na mjafton për të mos e humbur nga sytë objektivin historik të bashkimit me BE-në si dhe për të mos e hequr nga mendja se këtë shans historik shqiptarët mund ta shfrytëzojnë me sukses vetëm si trimi i mirë me shok shumë”, u shpreh Rama.

Rama tha se “dëshira e tij e zjarrtë” është që të mos jemi njëri në tryezën e negociatave me BE, kurse tjetri në listën e sanksioneve të BE-së, të cilat Rama i quajti absurditet të madh.

“Ndërkohë që Shqipëria ecën me hapa të shpejtë për t’u bashkuar me Europën, parapërfytyroni se sa krenarë do t’i bënim shqiptarët anë e mbanë sikur në këtë udhëtim të ishim krahë për krah me Kosovën, sikur edhe Kosova të shkëlqente njësoj ndërkombëtarisht me një ritëm, sikur në sofrën e kombeve të Ballkanit të ishim së bashku në krye të vendit.

Jemi i vetmi komb që flet një gjuhë po aq të vjetër sa vetë gjeneza e Perëndimit. Dëshira ime e zjarrtë është që të mos jemi njëri në tryezën e negociatave me BE, kurse tjetri në listën e sanksioneve të BE-së, të cilat sot janë një absurditet absolut. Bashkë me Presidenten, në Samitin e BE-së dy ditë më parë kemi këmbëngulur me forcë që ato masa të hiqen dhe kemi siguruar që të gjitha fondet e BE-së që janë penguar të lëvrohen dhe të mos digjen”.

“Ne duhet të jemi dorë për dore paqedashës dhe paqeruajtës. Në sytë e tyre barra e fajit për degradimin e dialogut evropian duhet t’i bjerë e gjitha vetëm Serbisë, por nuk duhet të lejojmë që qoftë edhe një gram t’i bjerë Kosovës”, theksoi Rama.

Presidentja, Vjosa Osmani tha se Kosova po përballet me pengesa në rrugën evropiane dhe shtoi se për t’i tejkaluar është e domosdoshme mbështetja e Shqipërisë.

“Vlerat mbi të cilat është ndërtuar BE-ja sot qëndrojnë edhe mbi themelet e kombit tonë.

Fatkeqësisht pengesat me të cilat Kosova përballet në këtë rrugëtim janë tejet të mëdha. Padrejtësitë ndaj popullit të Kosovës sa vijnë e rriten. Për ti tejkaluar këto pengesa suksesshëm na duhet mbështetja e Shqipërisë. BE-ja do të jetë më i sigurtë, më i qëndrueshëm dhe më i plotë me shtetet tona si pjesë e tij. Është jetike që ne ta forcojmë koordinimin dhe komunikimin mes dy shteteve.”, tha Osmani.

E kryeministri Kurti tha se është i kënaqur që marrëveshjet e firmosura mes Tiranës e Prishtinës kanë dhënë rezultate reale për qytetarët.

“Kënaqësi që sot bëjmë bilancin e marrëveshjeve të përbashkëta. Më bëhet qejfi që marrëveshjet tona kanë pasur sukses. Marrëveshjet Kosovë-Shqipëri kanë pasur rezultate të prekshme për qytetarët. Kufiri ynë është si kufiri mes dy barkusheve të zemrës, ka thënë prozatori ynë Primo Shllaku. Shqiptarët nën Serbi janë komuniteti më i diskriminuar në Evropë, prandaj Shqipëria e Kosova duhet t’i mbrojnë. Shqiptarët nuk janë fajtorë se janë autoktonë. Ne kemi ndarë 4 milionë euro për Luginën e Preshevës, uroj që këtë shembull ta ndjekë dhe Shqipëria”, tha Kurti.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...