Live

Në fjalimin e lamtumirës, Biden bën thirrje për mbrojtjen e demokracisë

18:59 / 16 Janar 2025

Nga Kosova Live

Në fjalimin e tij të lamtumirës nga Shtëpia e Bardhë të mërkurën në mbrëmje, presidenti Joe Biden paralajmëroi për rreziqet nga përqendrimi i pushtetit dhe pasurive. Fjalimi ishte kapitulli i fundit i një karriere politike prej dekadash dhe një mandati katërvjeçar dhe vjen pak ditë para se Donald Trump të vijë për herë të dytë në detyrë.

Presidenti Joe Biden do të largohet nga Shtëpia e Bardhë kur të përfundojë mandati i tij më 20 janar. Në fjalimin e tij lamtumirës të mërkurën në mbrëmje, ai bëri një paralajmërim.

“Përqendrimi i rrezikshëm i pushtetit në duart e shumë pak njerëzve tepër të pasur; pasojat e rrezikshme nëse shpërdorimi i pushtetit prej tyre del jashtë kontrollit: Sot në Amerikë po krijohet një oligarki e pasurisë, fuqisë dhe ndikimit ekstrem që kërcënon të gjithë demokracinë tonë, të drejtat dhe liritë tona themelore”, tha zoti Biden.

Presidenti nuk tha se kë nënkuptonte me oligarkinë. Por disa nga miliarderët më të mëdhenj të vendit si Elon Musk, kanë krijuar lidhje të ngushta me presidentin e zgjedhur Donald Trump.

Pa përmendur emra, zoti Biden duket se iu referua vendimit të fundit të Mark Zuckerbergut, se kompania e tij e mediave sociale Meta, që përfshin platformat Facebook dhe Instagram, do të ndalë praktikën e kontrollit të fakteve.

“Shtypi i lirë po shkatërrohet. Redaktorët po zhduken. Mediat sociale po heqin dorë nga kontrolli i fakteve. Të vërtetës po i merret fryma nga gënjeshtrat për përfitim”, tha ai.

Presidenti Biden e përfundon mandatin me një sukses në politikën e jashtme. Vetëm disa orë para fjalimit, ai njoftoi se Izraeli dhe Hamasi kishin arritur një marrëveshje për armëpushim në Gazë. Marrëveshja do të zbatohet kryesisht nga administrata e ardhshme.

“Kjo është arsyeja pse i thashë ekipit tim që të mbajë plotësisht të informuar administratën e ardhshme, sepse kështu duhet të ndodhë: të punojmë së bashku si amerikanë.

Në një letër bërë publike të mërkurën, zoti Biden shprehu reflektimet e tij që nga fillimet e administratës së tij nën hijen e COVID-it dhe sulmit të 6 janarit në Kapitolin e SHBA nga një turmë përkrahësish të zotit Trump që synonin të përmbysnin rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Sipas organizatës Gallup, zoti Biden largohet nga posti pas një mandati, me një mbështetje prej vetëm 39%. Se si do të mbahet mend trashëgimia e tij mund të varet edhe nga pasardhësi i tij.

“Nëse Trump rezulton vërtet të jetë aq i rrezikshëm për normat demokratike siç sugjerojnë Biden dhe demokratë të tjerë, atëherë mendoj se ai [Biden] mund të vlerësohet që e parashikoi një gjë të tillë. Por nëse me administratën Trump shohim një presidencë pak a shumë normale që has probleme por ka edhe disa arritje, mendoj se Biden do të mbahet mend më shumë për ato që ka arritur”, thotë historiani presidencial Thomas Schwartz i Universitetit Vanderbilt.

Shtëpia e Bardhë përmendi si arritje të zotit Biden udhëheqjen drejt një rimëkëmbjeje të fortë ekonomike.

Dhe megjithëse zoti Biden u përpoq t’u jepte fund përfshirjeve në luftrat e huaja, ai kritikohet kryesisht për tërheqjen kaotike nga Afganistani. Presidenti i dha fund fjalimit duke falënderuar kombin për privilegjin që i dha.

“Unë ende besoj tek ideja mbi të cilën është ngritur ky vend. Një vend ku fuqia e institucioneve dhe karakteri i popullit janë jetike. Tani është radha juaj t’i mbroni ato.”/voa

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...