Në Kosovë gjatë vitit janë regjistruar rreth 1100 raste të reja me kancer.
Kanceri i gjirit mbetet më i shpeshti tek femrat: 230 raste, ndërsa tek meshkujt dominon ai i mushkërive.
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurtishi, në intervistë për Ekonomia Online, vuri në pah se grupmoshat më të prekura janë ato 50–60 vjeç, por ka një rritje shqetësuese edhe te personat nën moshën 50 vjeç.
“Ne kemi regjistruar në klinikë rreth 1 mijë e 100 pacientë me kancer për herë të parë, me dominim të kancerit të gjirit. Rreth 230 femra për herë të parë janë prekur nga kjo sëmundje dhe ne i kemi në klinikë. Menjëherë vjen kanceri i dytë më i shpeshtë e që është i pari tek kanceri i meshkujve, ai i kancerit të mushkërive, pastaj hyjnë tumoret e organeve gjenitale. Këto tri patologji të këtyre tri sistemeve bëjnë grupin më të madh të sëmundjeve malinje. Ajo çka është e rëndësishme të ceket që grupmoshat ku dominon kanceri në përgjithësi, pra edhe kanceri i gjirit, mushkërive, vazhdon të jetë grupmoshat 50-60 vjet, por këto dy-tri vitet e fundit ka një tendencë që grupmoshat e reja nën 50 vjet të kemi një incidencë më të lartë sesa viteve paraprake”, tha ai, transmeton Klankosova.tv.
Kurtishi tha se kjo lë të kuptohet se duhet të kemi kujdes më shumë dhe të bëjmë vizita më shpesh, sidomos tek moshat 30-50 vjeç për zbulim më të hershëm dhe te mjekohet sa më mirë.