Live

Netanyahu akuzon Hamasin se është tërhequr nga disa pjesë të marrëveshjes së armëpushimit

16:21 / 16 Janar 2025

Nga Kosova Live

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu akuzoi sot Hamasin se ishte tërhequr nga disa pjesë të marrëveshjes së armëpushimit në Gazë dhe tha se kabineti i tij nuk do të mblidhet për të dhënë miratimin e nevojshëm derisa grupi militant të pranojë të gjithë elementët e marrëveshjes.

Përmes një deklarate, zyra e kryeministrit Netanyahu tha se Hamasi po përpiqej të “siguronte lëshime të minutës së fundit”.

Hamasi është shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe vende të tjera perëndimore.

Armëpushimi me disa faza, që u njoftua të mërkurën pas negociatave për muaj të tërë, do të hyjë në fuqi të dielën nëse marrëveshja miratohet plotësisht.

Ndërkohë sulmet izraelite në Rripin e Gazës kanë vrarë të paktën 72 vetë që kur u njoftua marrëveshja, sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore në Gazë.

Palestinezët atje njoftuan për sulme të ashpra gjatë natës ndërsa banorët po festonin arritjen e marrëveshjes.

Agjencitë e OKB-së thanë se janë gati të dërgojnë ndihma humanitare në rajon. Sipas Kombeve të Bashkuara të paktën 1.9 milionë nga 2.3 milionë banorët e Rripit të Gazës janë zhvendosur dhe 92 për qind e banesave janë shkatërruar, raporton VOA.

Presidenti izraelit Isaac Herzog ofroi mbështetjen e tij të fortë për armëpushimin pas shpalljes së marrëveshjes të mërkurën.

Por një nga kundërshtarët kryesorë të marrëveshjes në qeveri, ministri i Financave Bezalel Smotrich, e cilësoi atë “një marrëveshje të keqe dhe të rrezikshme për sigurinë kombëtare të shtetit të Izraelit”.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...