Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar një aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj dy personave, F.K. dhe N.S., për veprën penale “Kanosja”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, më 29 gusht 2023, i pandehuri F.K., përmes profilit të tij personal në rrjetin social “Facebook”, ka postuar mesazhe me përmbajtje kërcënuese ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me qëllim ta frikësojë dhe ta detyrojë atë të ndërmarrë ose të mos ndërmarrë veprime të caktuara në ushtrimin e funksionit të tij zyrtar.
Në postimin e tij, i pandehuri F.K. kishte shkruar ndër të tjera:
“… Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova.”
Postimi është përsëritur më 30 gusht 2023, pas reagimeve të opinionit publik, duke thelluar seriozitetin e kërcënimit.
Gjithashtu, sipas aktakuzës, edhe i pandehuri tjetër, N.S., ka kanosur me vrasje Kryeministrin A.K. përmes postimeve të tij publike në “Facebook”, duke iu referuar drejtpërdrejt deklaratës së F.K.
Prokuroria vlerëson se veprimet e të pandehurve përbëjnë kërcënim serioz ndaj një personi zyrtar për shkak të detyrës së tij, dhe se ka prova të mjaftueshme për të mbështetur akuzën.
Çështja pritet të kalojë për shqyrtim në seancë gjyqësore pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.