Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj të pandehurit Bleon Dibrani, për shkak të veprave penale “Vrasja e rëndë”, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
I pandehuri akuzohet se me datë 23 mars 2025 rreth orës 20:30 minuta në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri, me dashje e ka privuar nga jeta viktimën A.Z., duke e gjuajtur dhe goditur viktimën tri herë në trup, transmeton Klankosova.tv.
Viktima A.Z., si pasojë e plagëve të shumëfishta të shkaktuara nga predhat e hedhura nga arma e zjarrit pëson dëmtime të rënda në mushkëri dhe mëlçi duke i sjellë gjakderdhje masive dhe pamjaftueshmëri të menjëhershme respiratorë, i njëjti ndërron jetë në Repartin e Emergjencës në Spitalin e Vushtrrisë, po ashtu nga të shtënat nga arma e zjarrit e të pandehurit në rrugë publike vihet në rrezik edhe jeta e personave tjerë.
“Gjatë arrestimit, të pandehurit B.D., i është gjendur dhe sekuestruar arma me të cilën është kryer vepra penale, dhe e cila ka qenë në posedim në kundërshtim me Ligjin Nr.05/L -022 për Armë. Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me rastin e ngritjes së aktakuzës ka kërkuar nga gjykata që të pandehurin t`a shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe t`a dënojë sipas ligjit”, thuhet tutje në njoftim.
Vërejtje:
Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.