Princi dhe Princesha e Uellsit do të zhvendosen në një shtëpi të re në Windsor.
William dhe Catherine do të zhvendosen në Forest Lodge me tetë dhoma gjumi në Windsor Great Park, me fëmijët e tyre George, Charlotte dhe Louis.
Familja ka jetuar në Adelaide Cottage në oborrin e kështjellës që nga gushti i vitit 2022, por pas 18 muajsh sfidues që e kanë parë princeshën të përballet me një diagnozë dhe trajtim të kancerit, ata tani kanë vendosur të bëjnë një ndryshim.
“Windsor është bërë shtëpia e tyre. Megjithatë, gjatë viteve të fundit, ndërsa ata kanë jetuar në Adelaide Cottage, ka pasur disa kohë vërtet të vështira”, tha një burim mbretëror për BBC-në.
“Transferimi u jep atyre një mundësi për një fillim të ri dhe një kapitull të ri.
“Është një mundësi për të lënë pas disa nga kujtimet më të pakëndshme”, tha burimi.
Çifti mbretëror e sheh këtë si një veprim afatgjatë dhe e konsiderojnë Forest Lodge si shtëpinë e tyre të përhershme.