Live

Nuk i mjafton dënimi me burg: Azemi i VV’së kërcënon përsëri gjyqtarët

18:04 / 29 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Dënimi me burgim prej 6 muajve për kanosjen e një prokurori dhe një gjyqtari nuk i ka ndikuar sekretarit organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, për të ndalë kërcënimet ndaj akterëve të gjyqësorit.

Ish-shefi i kabinetit të ministrit Arben Vitia, ka kërcënuar përsëri sot gjyqtarët e Gjykatës Komerciale, me qëllim që sipas tij “shkalla e dytë ta ndalë dëmin”.

Azemi nuk është pajtuar me vendimin e fundit të Gjykatës për lejimin e zhvillimit të projektit të Ndërmarrjes Publike Banesore për bashkë-investim me një konsorcium privat në ndërtimin e një kompleksi afaristobanesor në lagjen “Lakrishtë” të kryeqytetit.

Sekretari organizativ i LVV-së ka paralajmëruar se, nëse shkalla e dytë e Komerciales nuk e rrëzon këtë vendim, ata do ta kundërshtojnë në të gjitha format, madje – siç tha – edhe përmes trupave të tyre.

“Gjykata Komerciale ka vendosur që projekti i dëmshëm i Ndërmarrjes Publike Banesore, ku prona e qytetarëve të Prishtinës – 17 mijë metra katrorë pronë e komunës – me vendimin e kësaj gjykate dhe të gjyqtarit Alajdin Tërshnjaku po rrezikohet seriozisht. Sipas këtij vendimi, kompanive dhe konsorciumit, i cili në mënyrë jashtëzakonisht të dyshimtë fitoi të drejtën për ndërtim në pronë publike, iu dha e drejta me vendim të gjykatës për të rinisur projektin e dëmshëm dhe për të grabitur pronën e qytetarëve të Prishtinës. Për gjithë këtë pronë publike, në zemër të Prishtinës, në lagjen ‘Lakrishtë’, afati për aplikim për këtë projekt gjigant ishte vetëm tri ditë. Konsorciumi që fitoi u themelua vetëm një ditë para se të aplikonte. Gjithçka është e qartë në këtë pikë. Vetëm kjo çështje do të mjaftonte që dikush të ishte në burg dhe të dënohej për tjetërsim prone dhe përfitime në emër të pronës së kryeqytetit. Në sistemin e drejtësisë nuk ka drejtësi. 17 mijë metra katrorë në zemër të Prishtinës po tregtohen me pazare të ndyra. Nëse as shkalla e dytë nuk do ta ndalë këtë dëm që do t’i shkaktohet kryeqytetit, ne bashkë me qytetarët do ta kundërshtojmë me trupat tanë dhe çdo mjet këtë projekt të dëmshëm”, theksoi ai.

Sipas tyre, shkalla e parë e Gjykatës Komerciale ka vendosur në favor të ndërtimit të këtij objekti, ndërkohë që, sipas LVV-së, 17 mijë metra katrorë pronë e Komunës së Prishtinës po rrezikohen dhe, siç thanë, “po tregtohen me pazare të ndyra”.

Azemi kishte kërcënuar edhe në të kaluarën. Ai ishte dënuar me 6 muaj burgim nga Themelorja pasi u shpall fajtor për kanosjen e prokurorit Afrim Shefkiu dhe gjyqtarit Mentor Bajraktari.

Përpos këtij rasti, Azemi është i njohur për organet e drejtësisë edhe në shumë raste tjera.

Në tetor të vitit të kaluar, Azemi ishte ‘kapur’ duke negociuar me një pjesëtar të Policisë së Kosovës (i dëmtuar në rastin ku akuzohej Azemi) për favore në Policinë e Kosovës.

Policia Naim Berisha, kishte kërkuar nga Azemi i Vetëvendosjes që t’ia ndryshonte njësitin, pasi që sipas tij “ishte bërë boll”.

Ani pse Azemi kishte mohuar një gjë të tillë, ai ishte kapur nga kamerat, kurse polici Berisah ishte degraduar.

Shpërndaje në

U Kopjua