Oda Ekonomike e Kosovës e ka cilësuar si të rëndësishëm vendimin e Gjykatës Komerciale për ta anuluar në tërësi njoftimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, përmes së cilës janë njoftuar kompanitë për kalim të detyrueshëm në tregun e hapur të energjisë elektrike.
Sipas OEK-ut, ky vendim edhe një herë konfirmon shqetësimet e ngritura në vazhdimësi nga komuniteti i biznesit dhe nga vetë Oda, lidhur me mënyrën e njëanshme dhe sipas tyre, jotransparente të zbatimit të këtij procesi.
“Në mungesë të një njoftimi të vlefshëm dhe në mungesë të një baze ligjore për zbatim, Oda Ekonomike e Kosovës kërkon nga ZRrE që të anulojë vendimin e datës 05.04.2024, i cili nuk mund të prodhojë më efekte juridike”.
“ZRrE është e detyruar të zbatojë aktgjykimet përfundimtare të gjykatës, dhe moszbatimi i tyre përbën shkelje të rëndë të rendit juridik që sjellë përgjegjësi penale. Që nga fillimi, Oda Ekonomike e Kosovës ka qenë zëri institucional që ka qëndruar në mbrojtje të interesit të bizneseve, duke kundërshtuar vendime të njëanshme që rëndojnë prodhimin dhe ekonominë vendore në tërësi”, thuhet në reagim, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, Oda Ekonomike tha se do të vazhdojë të luftojë çdo vendim që cenon të drejtën e barabartë dhe trajtimin e drejtë të komunitetit ekonomik në vend.
“Oda Ekonomike e Kosovës fton institucionet përgjegjëse që të marrin seriozisht vërejtjet e shprehura nga komuniteti i biznesit dhe të angazhohen në politika gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme që përkrahin zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet tutje në reagim.