Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore në Dubrovnik, ka theksuar se ashtu si Serbia dështoi në Kosovë, Rusia do të dështojë në Ukrainë, duke vlerësuar se agresorët nuk duhet të shpërblehen me territorin e viktimave.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar se ashtu siç ka dështuar Serbia në Kosovë, Rusia do të dështojë edhe në Ukrainë.
Osmani në një postim në Facebook, ka shkruar për diskutimet që i ka bërë në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore në Dubrovnik, i cili është mbajtur të mërkurën.
“Agresori nuk duhet asnjëherë të shpërblehet me tokën e viktimës! Ashtu siç dështuan në Kosovë, Kroaci, Slloveni e Bosnje-Hercegovinë, forcat barbare do të dështojnë edhe në Ukrainë. Liria dhe demokracia gjithmonë do të triumfojnë”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, në këtë samit ka theksuar se mësimet e së kaluarës na kujtojnë se akomodimi i agresorëve nuk sjell kurrë paqe të qëndrueshme.
“Dje, para liderëve të tjerë në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore në Dubrovnik, theksova se mësimet e së kaluarës na kujtojnë se akomodimi i agresorëve nuk sjellë kurrë paqe të qëndrueshme. Solidariteti ynë për popullin e Ukrainës është i rrënjosur thellë në vet përvojën e dhimbshme të popullit tonë. Prandaj, do të vazhdojmë të mbështesim të drejtën e popullit ukrainas për liri, për sovranitet dhe integritet territorial. Deri në fitore!”, ka shkruar presidentja në Facebook.