Presidentja Vjosa Osmani, në adresimin vjetor para Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se bashkëpunimi dhe koordinimi me aleatët nuk është nënshtrim e as shantazhim.
Osmani ka thënë se aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme sesa cilido politikan apo cilado palë zgjedhjesh, duke theksuar se asnjë popull nuk ia ka dalë vetëm e asnjë shtet nuk ka sukses në izolim, raporton Express.
Sipas saj, Presidenca e Kosovës, pas pavarësisë, nuk i ka pasur dyert më të hapura asnjëherë më shumë sesa këtë mandat.
“Asnjë popull nuk ia ka dalë vetëm e asnjë shtet nuk ka sukses në izolim. Andaj, rëndësia e ruajtjes dhe forcimit të aleancave është e paçmueshme. Historia politike na mëson se, dobësimi i aleancave ose partneriteteve është një gabim strategjik. Të punosh bashkë me ata që na ndihmuan ta kemi lirinë e shtetit asnjëherë nuk është nënshtrim e as shantazhim. Unë besoj fuqishëm se forca jonë më e madhe qëndron pikërisht në partneritetet tona. Aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme sesa cilido prej nesh si politikan apo cilado palë zgjedhjesh”, ka thënë Osmani para deputetëve.
Osmani ka thënë se vënia në rrezik, luajtja bixhoz apo cenimi i këtyre aleancave, e cenon vetë mbrojtjen e Kosovës.
“Ato janë gurthemel i sukseseve tona dhe investim në një të ardhme ku Kosova do të jetë anëtare e barabartë në komunitetin euroatlantik të kombeve të lira. Aleancat janë për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik, luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë. Shihni deklarimet e superfuqive botërore: do të shihni qindra fjalime se si çdo sfidë angazhohen ta kapërcejnë bashkë me aleatët sepse nuk munden t’ia dalin të vetëm. Prandaj asnjëherë nuk e kam kuptuar e as mirëkuptuar, as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre, e as keqpërdorimin e emrit të tyre për të fituar pushtet. As njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës. Përkundrazi, duhet shumë punë e shumë angazhim për mirëmbajtjen e aleancave e partneriteteve bazuar në parime e vlera. Vetëm kjo rrugë mund t’i çojë interesat e Kosovës përpara”, ka thënë Osmani.