Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, po merr pjesë në konferencën e 30-vjetorit të Vitit Ndërkombëtar të Familjës, e cila po mbahet në Doha të Katarit.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka shkruar se në panelin kryesor “Pse kanë rëndësi politikat familjarë”, kanë diskutuar se si ndryshimet demografike po i formësojnë politikat familjare.
Njëherit, Osmani ka thënë se ka përmendur edhe politikat që fuqizojnë familjet e reja dhe gratë, raporton Kosovalive.net.
“Konferenca e 30-vjetorit të Vitit Ndërkombëtar të Familjes po mbahet në Doha, Katar dhe kam nderin të marr pjesë me ftesën e Lartmadhërisë së Saj Sheikha Moza bint Nasser. Në panelin kryesor “Pse kanë rëndësi politikat familjare?”, diskutuam se si ndryshimet demografike po i formësojnë politikat familjare dhe fola për politikat tona që fuqizojnë familjet e reja dhe gratë. Në vitet më të rënda për popullin tonë, familja ka qenë bërthama më e fortë që e ka mbajtur gjallë rezistencën, moralin lart dhe identitetin kombëtar mbi të gjitha”, ka shkruar Osmani.
Në përfundim, Osmani ka thënë se familja mbetet një ndër shtyllat më të forta prapa çdo suksesi individual e kolektiv dhe bazament për politika të suksesshme sociale dhe ekonomike.