Live

OVL-UÇK falënderon qytetarët, paralajmëron vazhdimin e fushatës diplomatike kundër Speciales

16:06 / 08 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Hysni Gucati, shprehu mirënjohje për qytetarët, strukturat e OVL-së nëpër komuna, partitë politike, sindikatat, shoqërinë civile dhe mediat për mbështetjen në protestën kundër Gjykatës Speciale.

Përmes një komunikate për media, ai tha se protesta e djeshme dëshmoi se vlerat e luftës çlirimtare janë të gjalla e të pathyeshme.

Pasi falënderoi pjesëmarrësit, në veçanti ai pati një falënderim për mediat, të cilat tha se me raportimin e tyre të drejtë e profesional “bënë të mundur që zëri ynë të dëgjohet kudo”.

Gucati tha se Organizata e Veteranëve të Luftës ka zhvilluar një fushatë diplomatike duke takuar përfaqësues të shteteve të ndryshme dhe do të takojë edhe ditëve vijuese.

“OVL-UÇK ka bërë një fushatë diplomatike me kërkesa të qarta tek shumë autoritete ndërkombëtare me ndikim: kongresistëve amerikanë, deputetëve të Parlamentit Evropian, pothuajse të gjitha organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe tani jemi duke vazhduar prapë me takime me ambasadat mike që janë në Kosovë”.

“Fillimisht kemi qenë në Parlamentin e Zvicrës, kemi takuar ambasadën e Gjermanisë, Suedisë dhe kanë konfirmuar për takim edhe shumë ambasada të tjera; të hënën do të jemi te ajo turke, pastaj e Zvicrës, pastaj në Zyrën e BE-së”, u shpreh kreu i OVL të UÇK-së.

Ai theksoi se te të gjitha këto institucione i kanë shprehur shqetësimet lidhur me Gjykatën Speciale.

Sipas tij, kërkesat e veteranëve që dalin nga kjo protestë, por edhe nga aktiviteti i tyre në rrafshin diplomatik, janë të ditura.

“Duam që kjo Gjykatë të monitorohet nga institute apo organizma të tjerë, sepse kjo Gjykatë nuk i jep llogari askujt. Përderisa nuk kemi institucione, nuk kemi kujt t’i adresohemi me kërkesa”, tha ai.

Gucati paralajmëroi se sapo të formohet Kuvendi i Kosovës, OVL-UÇK do të kërkojë miratimin e rezolutës së propozuar nga kryeministri Edi Rama.

Shpërndaje në

U Kopjua