Komisioni për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian mbajti një debat të tensionuar lidhur me sulmin terrorist në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok.
Kryetari i komisionit, David McAllister, theksoi se Parlamenti Evropian është thellësisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës.
“Parlamenti Evropian ka dënuar fuqishëm këto akte, të cilat destabilizojnë Kosovën.”
Në vijim të debatit, disa eurodeputetë shprehën solidaritet me Kosovën, por kërkuan më shumë prova për përfshirjen e autoriteteve serbe.
Michael Gahler, eurodeputet gjerman, tha se janë bërë pretendime goxha serioze. “Pyetja e parë është çfarë provash janë vënë në dispozicion për të mbështetur këto akuza. Duhet të kemi fakte.”
Eurodeputeti spanjoll Nacho Sánchez Amor gjithashtu shprehu mbështetjen për Kosovën, por theksoi nevojën për qasje të kujdesshme.
“Ju përmendët grupet kriminale të kontrolluara nga Serbia, por është e vështirë të veprohet pa prova më bindëse. E kuptojmë situatën tuaj të rëndë dhe mbështesim popullin tuaj, por nevojiten fakte më të qarta.”
Thomas Waitz, eurodeputet nga Austria, kërkoi një hetim ndërkombëtar të rastit në Zubin Potok.
“Serbia ka thënë se dëshiron të jetë pjesë e hetimit, por situata e ngjashme pas Banjskës nuk solli asgjë konkrete. Është koha që Qeveria serbe të marrë përgjegjësi dhe të veprojë kundër ekstremistëve.”
Ai gjithashtu bëri thirrje që pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë sa më shpejt.
“Është koha që këto shtete ta njohin Kosovën si të pavarur për të dërguar një mesazh të qartë kundër destabilizimit,” theksoi ai.
Pas fjalimeve të eurodeputetëve, kryediplomatja Donika Gërvalla reagoi duke theksuar rëndësinë e veprimit të menjëhershëm.
“Policia e Kosovës ka sekuestruar një arsenal armësh dhe pajisjesh ushtarake të ardhura direkt nga Serbia. Ka pasur paralajmërime për sulme të tilla dhe motivi për destabilizim është i qartë.”
Gërvalla përfundoi me një paralajmërim për efektet e mëdha që mund të ketë neglizhimi i këtyre sulmeve.
“Nëse Serbia vazhdon në rrugën drejt BE-së pa presion të vërtetë, këto veprime nuk do të ndalen vetëm në Kosovë, por do të përhapen edhe në rajon. Ju kërkoj përkrahjen tuaj për të ndalur këtë kërcënim.”