Në Dhomat e Specializuara sot mbahet seancë gjyqësore për rastin `Jonuzi dhe të tjerët`, pas marrëveshjeve për pranim të fajësisë nga Haxhi Shala dhe Sabit Jonuzi.
Trupi Gjykues ka caktuar seancën për marrëveshjet për pranimin e fajësisë për sot në orën 09:00, dhe ka rezervuar edhe nesër në qoftë se do të jetë e nevojshme.
Gjatë pjesës së parë të seancës së nesërme, Trupi Gjykues së pari do të diskutojë çështje paraprake në lidhje me marrëveshjet për pranimin e fajësisë dhe më pas do të mbajë seancë për pranimin e fajësisë për Haxhi Shalën, vijuar nga seanca për pranimin e fajësisë për Sabit Januzin.
Haxhi Shala e Sabit Januzi kanë arritur marrëveshje për pranim të fajësisë lidhur me akuzat për ndikimin e një dëshmitari që planifikohej të dëshmonte në Gjykatën Speciale.
Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Në çështjen gjyqësore ‘Januzi dhe të tjerët’, janë bërë publike dy marrëveshje më vete për pranimin e fajësisë, ku Sabit Januzi dhe Haxhi Shala, secili më vete, pranuan fajësinë për një akuzë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe një akuzë për frikësim gjatë procedurës penale.
Secila nga marrëveshjet për pranimin e fajësisë bazohet në “faktet e pranuara”, me çka të akuzuarit pranojnë se disa fakte të paraqitura në aktakuzë do të vërtetoheshin jashtë dyshimit të arsyeshëm dhe janë të vërteta dhe sakta.
Rregullorja e Procedurës dhe e Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës lejon që Prokurori i Specializuar dhe Mbrojtja të arrijnë marrëveshje për pranimin e fajësisë, e cila duhet të miratohet nga Trupi Gjykues para se të hyjë në fuqi. Trupi Gjykues është duke shqyrtuar aktualisht marrëveshjet për pranimin e fajësisë në këtë çështje gjyqësore.
Sipas rregullës 94 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave së DHSK-së, Trupi Gjykues miraton marrëveshjen vetëm nëse gjykatësit binden se janë përmbushur disa kushte:
• se ekziston bazë faktike e mjaftueshme që vërteton faktet thelbësore të nevojshme për vërtetimin e veprës penale dhe pjesëmarrjen e të akuzuarit
• se avokati ka diskutuar marrëveshjen me të akuzuarin dhe se i akuzuari i kupton kushtet e marrëveshjes
• se i akuzuari pranon fakte në lidhje me akuzat në marrëveshje dhe se pranimi është bërë pa kërcënime ose detyrim
• se i akuzuari kupton pasojat e marrëveshjes dhe heq dorë nga e drejta për t’u gjykuar me procedurë gjyqësore të zakonshme
• se janë marrë parasysh si duhet interesat e drejtësisë