Live

Përdorimi i armës në ahengje familjare, arrestohen dy persona

09:39 / 08 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Thirrjen e Policisë së Kosovës që të “festohet me zemër, e jo me armë”, si duket jo të gjithë e kanë dëgjuar.

Në 24 orët e fundit, policia është dashur të intervenojë në dy ahengje familjare, në Mohlan të Suharekës dhe në Kryshec të Pejës, ku është raportuar për të shtëna me armë.

Sipas raportit 24-orësh të PK-së, në këto raste janë arrestuar dy persona, nga të cilët janë konfiskuar edhe armë të ndryshme.

Në rastin e Suharekës, Policia veprën e ka cilësuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm /armëmbajtje pa leje”.

“Fsh. Mohlan, Suharekë 07.08.2025 – 23:15. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se i njëjti dyshohet se kishte shtënë me armë gjatë një ahengu familjar. Në vendin e ngjarjes janë gjetur një gëzhojë dhe dy plumba të pa shkrepur. Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë dhe një armë automatike. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, tha PK-ja.

Ndërkaq në Pejë, policia ka hapur rast për “Përdorim i armës /armëmbajtje pa leje”.

Fsh. Kryshec, Pejë 07.08.2025 – 20:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se kishte shtënë me armë gjatë një ahengu familjar. Në vendin e ngjarjes janë gjetur katër gëzhoja, ndërsa nga i dyshuari është sekuestruar një pistoletë me 4 fishekë. Me urdhër të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”, u tha në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Shpërndaje në

U Kopjua