Live

Perimet vendore shkojnë jashtë, tregu mbushet me import

12:16 / 09 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Fermeri Erbril Mazreku, 32-vjeçar nga komuna e Mamushës në rajonin e Prizrenit, ka të mbjellë rreth 2.5 hektarë tokë me domate në serrë.

Mazreku, nga mesi i muajit qershor deri në fillim të muajit gusht, ka mbledhur rreth 150 tonë domate dhe pret të vjelë edhe 150 të tjerë.

E gjithë kjo sasi është shitur në tregjet evropiane.

“Domatet në treg vendor nuk i shes. Çmimi është më i lirë, kurse jashtë i shes më shpejtë dhe me shtrenjtë. Të freskëta i dërgoj në një pikë grumbulluese këtu në Mamushë dhe ai i eksporton jashtë vendit. Çmimi sivjet është i mirë, 60 cent për kilogram, kurse në tregun vendor shkon më lirë”, i tha ai Radios Evropa e Lirë.

Në pikën grumbulluese Eurotaç, po në Mamushë, përveç domateve janë duke u grumbulluar edhe tranguj, lakra, qepë, patate, dhe pritet që së shpejti të fillojë edhe grumbullimi i specave. Shumica janë nga serrat dhe të gjitha eksportohen në vendet e Ballkanit dhe të Evropës.

Pronari i kësaj kompanie Nehat Thaçi, i tha Radios Evropa e Lirë se kërkesa për prodhime vendore e ka tejkaluar ofertën vendore.

“Sa të ofrojnë fermerët ne eksportojmë, specat dhe domatet janë shumë te kërkuara”.

“Vetëm për 20 ditë të muajit korrik kemi eksportuar këto lloje të kulturave në vlerë të mbi 1 milion eurove, ndërsa deri në fund të sezonit kemi të kontraktuar sasi deri në 3 milionë euro”, tha Mazreku.

Shpërndaje në

U Kopjua