Përurohet rruga Nacionale N2 Prishtinë – Mitrovicë, segmenti Stanovc – hyrja e Vushtrrisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur një projekt të rëndësishëm për lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve dhe ekonominë e vendit.
“Rruga Prishtinë-Mitrovicë po bëhet. Ka nisur më 2009 që domethënë e ka pothuajse moshën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, mirëpo është dashur të ndërrohet operatori ekonomik në mënyrë që të ecë puna. E falënderoj ministrin Aliu, zv.ministrin Durmishi dhe gjithë stafin e Ministrisë së Mjedisit për punën që kanë bërë. Ky segment është nënshkruar në fund të shkurtit, si kontratë dhe për 10 muaj po e përurojmë me një gjatësi afër 5 kilometra e gjysmë. Ka ngelur edhe një pjesë tjetër shumë e rëndësishme, e që do të kushtojë rreth 15 milionë euro”, tha Kurti.
Ai u pyet nga gazetarët për faktin se trotuaret në këtë segment nuk janë përfunduar.
“Për këtë çështje është mirë me folë ministri apo zëvendësministri. Unë këtu erdha në inaugurim, nuk erdha për ta provu herën e tretë valët e asfaltit, që po aludoni ju. Pas prerjes së shirit ne ecim në rrugë, jo përpara, se qashtu ka qenë në të kaluarën. Në të kaluarën së pari zbatimi i cili nuk kryhej, e krejt në fund planifikimi. Tani është planifikimi, preja e shirtit e tani e shohim a ka valë apo nuk ka”, tha Kurti.