Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Veri, në bashkëpunim me inspektoratet komunale dhe institucionet tjera përgjegjëse, ua ka rikujtuar të gjithë pronarëve dhe menaxherëve të subjekteve afariste (kafene, restorante, bare etj), se janë të obliguar të respektojnë oraret e përcaktuara për përdorimin e muzikës, siç parashihen në Ligjin për Rendin dhe Qetësinë Publike dhe aktet nënligjore në fuqi.
Sipas një postimi në Facebook, policia thotë se muzika dhe çdo aktivitet tjetër që prodhon zhurmë nuk lejohet të shqetësojë rendin dhe qetësinë publike jashtë orarit të përcaktuar ligjërisht.
“Çdo shkelje e këtyre dispozitave do të trajtohet si kundërvajtje dhe do të ndiqet sipas procedurave ligjore”, u tha në njoftim, raporton Klankosova.tv.
Tutje u tha se “kushdo që shkakton zhurmë të panevojshme dhe të padurueshme që dëgjohet te banorët përreth apo në rrugë dhe që shqetësojnë personat tjerë nga ora 22:00 e deri në orën 07:00 gjatë ditëve të punës dhe prej orës 23:00 e deri në orën 07:00 të shtunave dhe të dielave, dënohet për kundërvajtje”.
Policia tha se qëllimi i kësaj mase është ruajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike, teksa ftoi të gjitha bizneset të bashkëpunojnë për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim.