Autostrada Gjilan-Prishtinë është një ndër projektet infrastrukturore më të rëndësishme për Kosovën, veçanërisht për qytetarët e Gjilanit dhe zonës përreth, të cilët prej vitesh kanë pritur për përfundimin e saj. Ky projekt i nisur në vitin 2018 ka kaluar nëpër disa faza premtimesh dhe afatesh për përfundimin e tij, të cilat janë shtyrë vazhdimisht.
Megjithatë, as në fund të vitit 2024 autostrada nuk është përfunduar, duke ngritur pikëpyetje se kur do të realizohet ky projekt.
Pretendimi 1: Autostrada do të përfundojë brenda mandatit të qeverisë Kurti 2
Qeveria Kurti 2 kishte përfshirë ndërtimin e autostradës Gjilan-Prishtinë në programin qeverisës, duke u zotuar se do ta përfundonte brenda mandatit të saj.
“Krijimi i sistemit të integruar për transportin rrugor mundëson lidhje më të mirë dhe më të shpejtë mes rajoneve brenda vendit dhe jashtë saj. Për të arritur këtë, do të përfundojmë projektet ekzistuese infrastrukturore, si ndërtimin e segmentit të autostradës Besi-Merdare dhe autostradës Prishtinë-Gjilan …”, thuhet në programin e Qeverisë Kurti 2021-2025.
Ndërkohë gjatë fushatës elektorale në vitin 2021, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, pati thënë se autostrada do të përfundojë brenda mandatit të qeverisë Kurti 2.
“Autostrada Gjilan-Prishtinë do të përfundojë brenda mandatit të Qeverisë Kurti 2. Unë po flas edhe në emër të asaj që kemi biseduar edhe me z. Kurti, me kryeministrin”, pati thënë ai në emisionin “Debat Përnime”.
Pretendimi 2: Autostrada do të përfundojë deri në fund të vitit 2023
Në vitin 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi premtuan se autostrada do të përfundonte brenda vitit 2023.
“Autostrada Prishtinë—Gjilan po bëhet. Ajo hapet këtë vit. Urime! Kanë përfunduar mbi 70% të punimeve. I vizituam tre llotet. Llotin e parë në gjatësinë mbi 4.8 km, llotin e dytë 2.5 km dhe llotin e tretë 2.2 km, me ç’rast e pamë edhe punën që po bëhet për nënkalimin ndërmjet llotit të parë dhe llotit të dytë që në këtë mënyrë do të mundësojë edhe lidhjen e fshatrave Smallushë dhe Sllovi që të kenë gjithashtu qasje. Gjithsej kjo pjesë do të ketë gjatësinë prej 22.8 km, prej Banullës në Lipjan te Bresalci në Gjilan. Qeveria për Komunat.” — kishte shkruar Kurti më 21 korrik 2023 në profilin e tij në Facebook.
Ndërkohë në një intervistë më 8 gusht 2023 Durmishi kishte thënë se janë optimistë se autostrada do të përfundohej deri në fund të atij viti.
“Në autostradën Prishtinë– Gjilan janë duke u zhvilluar punimet me një dinamikë të shtuar. Ne jemi shumë optimist që do ta përfundojmë deri në fund të vitit. Janë realizuar më shumë se 70% e punimeve, jemi në fazën finale, tetë operatorë ekonomikë punojnë paralelisht. Disa kanë ecur më mirë, disa kanë pasur problem më shumë, probleme të llojeve të ndryshme”.
Pretendimi 3: Autostrada do të përfundojë deri në fund të vitit 2024
Në janar të këtij viti, pas një mbledhjeje në qeveri, kryeministri Kurti kishte thënë se autostrada Prishtinë-Gjilan do të përfundojë në vitin 2024.
“Sa i përket infrastrukturës rrugore, vitin 2024 do të jetë vit i përfundimit të disa projekteve të vjetra dhe fillimi i disa të rejave. Autostrada Prishtinë-Gjilan dhe rrugët Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Mitrovicë, Dollc-Gjakovë, e Drenas-Skenderaj pritet të finalizohen sivjet. Paralelisht, do të fillojë puna në autostradën Bresalc-Dheu i Bardh, në rrugën Kijevë-Zahaq, në rrugën nga autostrada “Ibrahim Rugova” deri te hyrja në tunelin e rrugës Prizren-Tetovë, dhe në rrugën Drenas-Kroni i Mbretit”, kishte thënë Kurti.
Në emisionin “Debat Plus”, në shkurt të këtij viti, edhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, tha se autostrada e Gjilanit do të përfundojë brenda vitit 2024.
Kjo ishte një datë e re që është shtuar në listën e premtimeve për përfundimin e projektit. Ky premtim është bërë në një kohë kur ka një vonesë të dukshme në përparimin e punimeve. Për më tepër, nuk janë dhënë detaje të qarta se si dhe kur pritet të përfundojnë pengesat që e vonojnë këtë projekt.
Pretendimi 4: Data e përfundimit nuk është e qartë
Në një nga edicionet e emisionit “Debat Plus”, në fillim të tetorit dhe më pas në një konferencë për medie më 23 tetor 2024, ministri i Infrastrukturës Liburn Aliu e cilësoi këtë premtim si një përllogaritje të gabuar, duke pranuar se ishte një vlerësim i nxituar dhe pa një analizë të qartë të situatës reale.
“Mendoj që ka një progres të madh, por s’mundem me ju dhanë datë. Kur iu është dhënë premtimi që do të kryhet ka qenë një gabim dhe as për së afërmi nuk ka qenë gati”, tha Aliu gjatë konferences për media.
Aliu pranoi se ende nuk ka një datë të saktë për përfundimin e autostradës.