Live

Prodhuesit dhe DhTIK, thirrje ZRrE-së: Mos na e ndalni rrymën, rrezikohen së paku 22 mijë punëtorë

13:27 / 16 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Shoqata e Prodhueseve të Kosovës, në kuadër të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, ka shprehur shqetësimin e thellë për pasojat që do të shkaktojë ndërprerja e furnizimit me energji elektrike për bizneset, siç është paralajmëruar nga data 16 gusht.

Në reagimin dërguar mediave, prodhuesit e Kosovës i kanë bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) që të mos zbatojë masën e ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike për bizneset nga data e paralajmëruar.

“Ndërprerja e energjisë do të sjellë pasoja të rënda: ndërprerjen e prodhimit, humbjen e vendeve të punës, rritjen e çmimeve për konsumatorët, dëmtimin e kontratave me partnerët ndërkombëtarë dhe uljen e konkurrueshmërisë së prodhuesve kosovarë në tregjet e huaja”, ka thënë LBK në një reagim dërguar mediave.

Shoqata e Prodhuesve, sipas LBK, nuk është kundër liberalizimit të tregut të energjisë, “por kërkojmë që ky proces të zbatohet në mënyrë transparente, me konsultime të mirëfillta dhe me çmime të arsyeshme, të krahasueshme me rajonin”.

“Prandaj, kërkojmë nga ZRRE të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme që mbron prodhimin vendor dhe ekonominë e Kosovës”, tha Shoqata e Prodhuesve të Kosovës.

Reagim për paralajmërimin për ndërprerje të energjisë elektrike për bizneset erdhi edhe nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, e cila rishfaqi indinjatën dhe kundërshtimin e fuqishëm ndaj vendimit të ZRrE-së, “e cila ka urdhëruar KEDS-in të nisë shkyçjen e qindra bizneseve që nuk janë pajtuar me kushtet e papranueshme dhe të dëmshme të ofruara nga kompanitë e licencuara, ndërkohë që pjesa tjetër kane bërë marrëveshje të përkohshme, janë në pritje të vendimeve të gjykatave dhe themelimit të institucioneve të reja të vendit, Kuvendit dhe Qeverisë”.

“Ky veprim arbitrar dhe i papërgjegjshëm, po rritë çmimet e konsumit të dy milionë qytetarëve të vendit dhe po rrezikon largimin nga puna të se paku 22 mijë punëtorëve, duke goditur rëndë familjet e tyre, ekonominë e brendshme dhe stabilitetin social në vend”, thotë Dhoma e Tregtisë.

Në çdo vend tjetër, sipas DhTIK, një kërcënim i tillë për humbjen e vendeve të punës do të ngjallte alarm të menjëhershëm.

“Në Kosovë, për fat të keq, institucionet po zgjedhin të heshtin, duke e bërë veten bashkëpërgjegjëse për pasojat e rënda që priten”.

“Pasojat e këtij hapi do të jenë dramatike: mbyllje të aktiviteteve biznesore, humbje të prodhimit vendor, rritje të importit, rritje të çmimeve dhe varfërim të mëtejmë të qytetarëve”, tha Dhoma e Tregtisë.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka kërkuar sërish nga institucionet e vendit që të ndërhyjnë dhe të ndalin këtë proces që ata e konsiderojnë “të dhunshëm dhe të padrejtë”, i cili thonë se rrezikon të shkatërrojë themelet e ekonomisë sonë.

Shpërndaje në

U Kopjua