Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar për arrestimin e tre zyrtarëve publikë që dyshohet se mashtruan me subvencione në vlerë të mbi 87 mijë eurove. Arrestimi i tyre u bë dje gjatë dy aksioneve për shkak të dyshimeve të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe mashtrimeve me subvencione.
Lidhur me këto raste, Prokuroria tha se Departamenti për Krime të Rënda, Njësiti për Hetimin e Korrupsionit, pas informacioneve të pranuara ka aplikuar masat e fshehta të hetimit me urdhëresë të gjykatës kompetente ku ka rezultuar dyshimi i arsyeshëm se është kryer vepra penale.
“Të pandehurit: N.G, F.M, dhe I.K, me veprimet e tyre kundërligjore, dyshohet se në periudhën kohore 2019-2023, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të MKRS në vlerë prej 87,463.00€ (tetëdhjetë e shtatëmijë e katërqind e gjashtëdhjetë e tri euro). Të dyshuarit janë arrestuar, janë intervistuar dhe ndaj tyre është iniciuar rasti për veprën penale Mashtrim me Subvencione nga neni 324 paragrafi 3 të KPRK-së. Pas intervistimit, ndaj të dyshuarve N.G., dhe F.SH.M., është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa I.K., është liruar në procedurë të rregullt”.
“I pandehuri A.M në cilin e personit zyrtar ka keqpërdorur pozitën dhe autoritetin e tij zyrtar dhe ka qenë në konflikt interesi i cili duke qenë Kryetar i komisionit për ndarje të subvencioneve e ka Subvencionuar klubin basketbollistik “AS.K” në të cilin ka qenë themelues i këtij klubi nga viti 2012 deri ne vitit 2019, dhe vazhdon ta kontrolloj llogarinë bankare të tij ashtu që shumën prej 9.900 euro të cilën e ka subvencionuar këtë klub e ka tërhequr nga llogaria e tij bankare, krejt këtë duke u ndihmuar nga e pandehura A.A po ashtu zyrtare e Komunës së Obiliqit, e cila e ka nënshkruar raportin përfundimtar të subvencionimit. Të pandehurit dyshohen për veprat penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 të KPRK-së dhe Konflikti i Interesit nga neni 417 i KPRK-së. Pasi që është intervistuar i pandehuri A.M me urdhër të Prokurorit të Shteti është ndaluar për 48 orë, ndërkaq e pandehura A.A është liruar në procedurë të rregullt dhe ndaj të njëjtëve pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë është parashtruar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në komunikatë.