Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, më 7 gusht kanë thirrur protestë.
Kjo protestë pritet të mbahet nga ora 17:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
OVL e UÇK-së i ka falënderuar qytetarët për përkrahjen e madhe.
“Falënderim për përkrahjen dhe interesimin tuaj të madh! Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në emër të këshillit organizues ju shpreh mirënjohje të thellë për përkrahjen e jashtëzakonshme që kemi parë ditëve të fundit për protestën paqësore të thirrur për datën 7 gusht, ora 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë”, thuhet në reagim transmeton Klankosova.tv.
Tutje, në reagim thuhet se “interesimi i madh i qytetarëve, i shprehur përmes rrjeteve sociale dhe shumë formave të tjera, është një dëshmi e vetëdijes së lartë qytetare dhe e përkushtimit për drejtësi”.
“Falënderojmë të gjitha partitë politike që e kanë mbështetur publikisht protestën tonë, pjesëtarët e shoqërisë civile që janë bërë zë i arsyes, dhe mediat për hapësirën e ndershme dhe të balancuar që po i japin kësaj thirrjeje. Bashkë, me dinjitet dhe paqe, do të ngremë zërin kundër padrejtësive.”