Live

Pse u la Kosova jashtë Marrëveshjes së Daytonit?

07:44 / 22 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Mbrëmë në “Rubikon” në Klan Kosova, u diskutua 30-vjetori i Marrëveshjes së Paqes për Bosnjë dhe Hercegovinën, e njohur si Marrëveshja e Daytonit, dhe pse u la jashtë saj Kosova.

Gazetari Melazim Koci deklaroi se ka qenë fat i madh që Kosova nuk ka qenë e pranishme, e as e përfshirë në konferencën e Daytonit, transmeton Klankosova.tv.

Në atë kohë, sipas gazetarit ka dominuar një zhgënjimi i madh pse Kosova u la jashtë. Por, ky zhgënjim, thotë Koci, se nuk ka pasur vend, pasi sipas tij, maksimumi që do të mund të përfitonte vendi do ishte një entitet brenda Serbisë.

“Më kujtohet që ka pasur zhgënjim kur u arrit marrëveshja e Daytonit e u la jashtë Kosova. Por ai zhgënjim nuk ka pasur vend sepse gjendja faktike në Kosova ka qenë tjetër, ka qenë e okupuar në tërësi. Maksimumi që ka mund të fitoj Kosova në atë kohë nëse do futej në Dayton, do ishte një entitet si në Bosnjë brenda Serbisë. Prandaj mendoj se ka qenë rrethanë e favorshme që nuk kemi qenë të pranishëm në Dayton”, tha Koci.

Nga ana tjetër, historiani Lulzim Nika, ka theksuar se kokëfortësia e ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviqit që Kosova të mos jetë pjesë e Daytonit, i është kthyer boomerang.

“Në këtë kontest edhe vet historia më vonë e dëshmon se ndoshta mos prezenca dhe kokëfortësia e Millosheviqit, që Kosova të mos jetë pjesë e Daytonit, i është hakmarrë vetë Millosheviqit. Rrethanat ndërkombëtare të më vonshme dhe krijimi i shtetit të Kosovës, në ato rrethane me një Rusi të dobët, ishte një bombë atomike për interesat sllave, sidomos ruso-sllave në Ballkan. Ka qenë orë historike për shqiptarët”, tha Nika.

E opinionisti Rrahman Paçarizi, shtoi më shumë rreth injorimit të Kosovës në konferencën e Daytonit. Sipas tij, brenda vendit kishte pasur edhe interpretime tjera se kjo kishte ardhur si pasojë e refuzimit të klasës politike të atëhershme për të marrë pjesë në zgjedhjet e Serbisë.

“Mospërfshirja e Kosovës në Dayton ishte pritur me dëshpërim në atë kohë, kryesisht me dëshpërim të madh nga shumica e njerëzve, dhe është interpretuar si një lënie pas dore e Kosovës nga aleatët ndërkombëtar të cilët ishte investuar shumë. Madje ishte interpretuar edhe se ky injorim ishte pasojë e refuzimit të klasës politike të atëhershme të Kosovë, të prirë nga Ibrahim Rugova për të marrë pjesë në zgjedhjet e Serbisë sepse i kërkohej të merrte pjesë për të demokratizuar Serbinë”, tha Paçarizi.

Paçarizi po ashtu theksoi se Kosova kishte përfituar në këtë situatë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishin vendosur që ta merrnin nën përkujdesje për ta largonin përfundimisht nga Serbia

Ndërsa historiani Azdren Shala, lidhur me pozicionin e Kosovës pasi ishte lënë jashtë marrëveshjes së Daytonit, deklaroi se ka qenë fat që shqiptarët kanë qenë të pafuqishëm me bë luftë.

“E mira e shqiptarëve si populli më i dobët, më i pafuqishëm  në Ballkan me bë luftë aq më pak paqe është se ndërkombëtarët kur vinë këtu me marrëveshje nominalisht e quajnë negociatë, por ata nuk negociojnë me ne. Ata të njoftojnë”, tha Shala.

Shpërndaje në

U Kopjua