Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Rajonale KRM “Pastrimi” janë duke zhvilluar protestë para Komunës së Prishtinës.
Ata po protestojnë pasi ndihen të cënuar për humbjen e vendeve të punës, pas tenderit në vlerë prej 16 milionë e 400 mijë euro që shpalli Komuna e Prishtinës për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet, që e çon këtë ndërmarrje drejt falimentimit.
Punëtorët po mbajnë protesta në dorë me mbishkrimin “Jo falimentim për pastrim”, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ditën kur u shpall ky tender, kryeshefi i kësaj ndërmarrje, Petrit Reçica, tha se Kryetari i Komunës, Përparim Rama dhe Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, po marrin hapa që çojnë drejt falimentimit të kompanisë publike “Pastrimi” dhe se po rrezikojnë vendet e punës të 900 punëtorëve.
Reçica tha se pas skadimit të kësaj kontrate, kryeqyteti do të kthehet në pikën zero sa i përket trajtimit të mbeturinave.
“Me publikimin për kontraktimin e kompanive private për mbledhjen e mbeturinave në 6 llote për vlerën 16.5 milionë euro Komuna e Prishtinës po bën një hap të qartë drejt margjinalizimit të Ndërmarrjes Publike Rajonale KRM “Pastrimi,” duke rrezikuar drejtpërdrejt qëndrueshmërinë e saj. Kjo ndërmarrje, me 900 punëtorë në nivel rajonal, prej të cilëve 300 në Prishtinë, është një shtyllë e rëndësishme e shërbimeve publike për qytetarët. Me këtë veprim po tentohet të shpenzohen 16.5 milionë euro vetëm në shërbim me 0 investime kapitale, çka nënkuptohet që Kryeqyteti pas skadimit të kontratës do të kthehej në pikën zero sa i përket trajtimit të mbeturinave”, shkroi Reçica.
Ai bëri thirrje që të anulohet tenderi, teksa veprimet e Ramës i quajti të papërgjegjshme.
“Vendimet e Komunës duket se synojnë falimentimin e KRM Pastrimi dhe privatizimin e shërbimeve thelbësore për qytetarët, duke minuar parimet e menaxhimit transparent dhe efektiv të mbeturinave. I bëjmë thirrje Kryetarit të Komunës Përparim Rama, që të ndalojë këto veprime të papërgjegjshme që rrezikojnë qindra vende pune dhe të rikthejë fokusin te mbrojtja e interesit publik. Gjithashtu, kërkojmë një qasje të drejtë për mbështetjen e KRM “Pastrimi”, si një ndërmarrje publike rajonale me më shumë se 67 vite ekzistencë dhe e cila ka shërbyer me përkushtim për vite me radhë”, thuhet në reagim.
Tenderi është i ndarë në gjashtë lote, derisa kohëzgjatja e kontratës është për 36 muaj apo tri vjet.