Live

Qe një muaj 680 pacientë me Hepatit B s’kanë marrë terapi

20:37 / 02 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Janë 680 pacientë të prekur me Hepatit B, të cilët prej një muaji nuk kanë marrë terapinë e nevojshme në Klinikën Infektive të QKUK-së, pasi mungon bari Tenofovir. Në Infektive thanë se po mbështeten te donacionet e në SHSKUK, si problem e paraqitën mungesën e interesimit të operatorëve ekonomikë, për të ofertuar për këtë medikament

Ka një muaj që në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare (QKUK) ka mungesë të terapisë për pacientët e prekur me sëmundjen e Hepatit B.

Janë 680 pacientë të privuar nga tableta Tenofovir, që është në Listën e barnave esenciale, e të cilën shteti ka obligim ta sigurojë falas.

Nga Klinikën Infektive thanë se aktualisht janë duke u mbështetur vetëm në donacione, e që nuk janë të mjaftueshme për mbulimin e nevojave.

“Këtë tabletë e japim çdo dy muaj te pacientët me Hepatit B. Momentalisht jemi furnizuar përkohësisht me donacione, mirëpo me sasi jo të mjaftueshme. Shpresojmë që të zgjidhet sa më shpejt, pasi që nëse pacientët nuk e marrin këtë terapi, ka mundësi për rikthim të sëmundjes. Për pyetje të tjera ju lutem drejtohuni tek Barnatorja Qendrore”, thuhet në një përgjigje të Klinikës.

Në Barnatoren Qendrore nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje, e që nga 23 korriku nuk kanë kthyer as përgjigje në pyetjet e KOHË-s nëse ka ndonjë plan konkret për furnizim të rregullt me këtë terapi.

E, në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar (SHSKUK) thanë se problem paraqet mungesa e interesimit të operatorëve ekonomikë, për të ofertuar për këtë bar.

“Jemi të njoftuar për mungesën e terapisë Tenofovir, ne e kemi hapur procedurën e prokurimit, por nuk ka pasur operatorë të interesuar. E njëjta është në ri-inicim”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Hepatiti B është sëmundje infektive që prek mëlçinë. Mund të shkaktojë si infeksione akute, ashtu edhe kronike.

Sipas përgjigjes që ka ofruar Klinika Infektive, kjo është hera e parë që përballet me mungesë të kësaj terapie, por brenda vetë QKUK-së, ankesat për mungesë të barnave që janë pjesë e Listës esenciale, janë të përditshme.

Javëve të shkuara, KOHA ka raportuar për mungesë të shumë ilaçeve e materialeve në QKUK e spitale rajonale, përfshirë edhe atyre bazike si flasterë e dorëza. Ka mungesë edhe të glukozës, zemotanit, gemzarit, fraksiparinës e të tjera.

Shpërndaje në

U Kopjua