Disa mbishkrime janë zbuluar në muret dhe trotuarin para Gjykatës Themelore në Gjilan. Mbishkrimet shkruanin “Gjykata në shërbim të fajdexjinve” “ka sa po i ndani?” dhe “Qendra e fajdeve”. Autori i grafiteve nuk dihet por besohet se grafitet janë bërë për shkak të vrasjes së trefishtë që ka ndodhur dje në Gjilan.
Gjykata Themelore në Gjilan ka reaguar duke thënë se Mefail Shkodra aktualisht nuk ka ndonjë lëndë aktive në këtë gjykatë.
Mefail Shkodra bashkë me dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjull Shkodra janë të dyshuarit për vrasjen e trefishtë, që ka ndodhur dje me 10.08.2025 në Gjilan.
Përmes një komunikate për media, Gjykata në Gjilan ka thënë se Mefail Shkodra ka pasur tre lëndë penale në këtë gjykatë dhe të trija kanë përfunduar me aktgjykim dënues.Sipas Gjykatës, në vitin 2018 Shkodra është akuzuar për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të armëve dhe është gjykuar, shpallur fajtur dhe dënuar. Në vitin 2014, sipas Gjykatës, Shkodra ka qenë i akuzuar për vjedhje të shërbimeve komunale, i cili po ashtu është gjykuar dhe dënuar.
Si dhe rasti i tretë në vitin 2011, ku sipas gjykatës, Shkodra ka qenë i akuzuar për veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, ku edhe për këtë rast është gjykuar dhe shpallur fajtor.“Sa i përket, dy të dyshuarve të tjerë Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra nuk figurojnë në regjistrin e evidencës penale të Gjykatës për ndonjë vepër penale të gjykuar me vendim të plotëfuqishëm apo ndonjë rast të papërfunduar’ – thuhet në reagimin e Gjykatës Themelore në Gjilan.Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Gjilanit në një konferencë për media kanë dhënë detaje për rastin e vrasjes së trefishtë në Gjilan, duke konfirmuar se i dyshuari kryesor, Mefail Shkodra, është person me të kaluar penale.
Sipas deklaratës së drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, Agron Rukiqi, i dyshuari Mefail Shkodra është i njohur për organet e drejtësisë dhe ka pasur të paktën: 5 raste të sulmeve fizike; 2 raste të prishjes së rendit dhe qetësisë publike; 3 raste të fajdesë; 1 rast mashtrimi; 3 raste kërcënimesh; 1 rast shantazhi; 2 raste detyrimi; 1 rast për organizim të grupit kriminal dhe kundërvajtje në trafik.
Mefail Shkodra në vitin 2024 kishte mbajtur në paraburgim për veprat penale fajde dhe detyrim. Ai ishte liruar me vendim për lirim nga paraburgimi në tetor të vitit 2024.