Live

Qeveria në detyrë e Kurti e pezullon nga puna sekretarin e MZhR-së, por nuk shkarkon ministrin Damka që akuzohen bashkë

14:10 / 01 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Besim Kamberaj është pezulluar nga puna. Qeveria në detyrë ka vendosur të premten që të largojë përkohësisht nga administrata publike Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal (MZhR).

Kamberaj është pezulluar për shkak të aktakuzës së ngritur muajin e kaluar për një rast korruptiv. Në të njëjtin rast akuzohet edhe ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka

Kurti, në prezantimin e propozim-vendimit në mbledhjen e sotme të qeverisë në detyrë tha se pezullimi i Kamberajt ndërlidhet me pezullimin nga marrëdhënia e punës për nëpunësin e kategorisë së lartë në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.

“Kjo është masë e nevojshme për të garantuar integritetin institucional, duke pasur parasysh që ndaj nëpunësit të administratës publike është ngritur aktakuzë për procedurë penale për kryerjen e veprës penale gjatë ushtrimit të funskioneve të tij”, tha Kurti.

Propozimi është miratuar unanimisht nga kabineti qeveritar. Pro propozimit ka votuar edhe ministri Fikrim Damka, i cili akuzohet për të njëjtin rast, për të njëjtën vepër penale.

Por, për Damkën nuk vlen argumenti i njëjtë sikurse për sekretarin e pezulluar. Ministri vazhdon të ushtrojë pozitën e tij në qeverinë në detyrë të Kurtit, edhe tri javë pas ngritjes së aktakuzës.

Aktakuza ndaj Damkës dhe Kamberajt është ngritur më 4 korrik të këtij viti nga Prokuroria Speciale.

Ata dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për dy OJQ-të “Germin” dhe “Caritas Zviceran” dhe shkeljes së të drejtave të personave të tjerë, respektivisht organizatave të shoqërisë civile të regjistruara në Kosovë.

Shpërndaje në

U Kopjua