Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i është kundërpërgjigjur ministres së Puneve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila në një shkresë drejtuar Radoniqit e ka sulmuar këtë institucion.
Në shkresën e saj, Gërvalla ka sulmuar ashpër Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për “disa hapa” që kanë shkelur “detyrimet ligjore në raport me konsultimin e obligueshëm dhe bashkërendimin e aktiviteteve përgatitore dhe vendimmarrëse me MPJD-në”.
Për këtë konstatim të Gërvallës, një nga anëtarët e KQZ-së e ka pyetur sot Radoniqin në mbledhjen e KQZ-së.
Radoniqi ka mohuar se KQZ-ja ka shkelur detyrimet ligjore.
“Konsideroj se KQZ nuk ka shkelur asnjë detyrim ligjor, përkundër faktit se nuk e kemi nënshkruar memorandumin, pasi që s’kemi pas kompromis. Nuk e konsideroj shkelje ligjore. Shkeljet ligjore i përcaktojnë institucionet ligjore, por deri më tani nuk kemi konstatime”, tha Radoniqi.
Ndryshe, Donika Gërvalla, më 27 nëntor përmes një shkrese zyrtare të cilën e ka siguruar Paparaci, i është drejtuar kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqit, ku kërkon miratimin e hapësirave të misioneve diplomatike dhe posteve konsullore për organizimin e votimit jashtë vendit.
Sipas sqarimit që ka bërë Gërvalla, në shumë raste, hapësirat ekzistuese janë të kufizuara dhe nuk i plotësojnë standardet për një proces zgjedhor transparent.
“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme na ngarkon përgjegjësinë për të siguruar që çdo qytetar jashtë vendit me të drejtë vote, ta ketë edhe mundësinë reale të votojë. Prandaj, në ato vende ku hapësirat e misioneve tona janë të vogla për të ofruar mundësinë e votimit për të gjithë qytetarët e asaj zone me të drejtë vote, është e nevojshme që urgjentisht të shqyrtojmë hapësirat shtesë për votim jashtë vendit, pra përfshirjen në qendrat e votimit të hapësirave të shfrytëzuara për qëllime tjera diplomatike dhe konsullore, në përputhje me standardet më të mira.
Përmes kësaj shkrese ftoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të shqyrtojë hapësirat e ofruara, si më poshtë, nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dhe të njëjtat t’i miratojë me procedurë të rregullt ligjore, si vendvotime për votimin fizik jashtë vendit.
Për këtë kërkesë, si Ministri, kemi konsultuar dispozitat ligjore dhe konventat e aplikueshme ndërkombëtare, për t’u siguruar që propozimi është në harmoni me legjislacionin në fuqi. Natyrisht që jemi në dispozicionin tuaj për cilindo shpjegim të nevojshëm”, thuhet në shkresë.
Ajo thotë se qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit meritojnë të kenë mundësi të barabarta për të shprehur vullnetin e tyre politik, ashtu siç bëjnë ata që jetojnë brenda kufijve të shtetit tonë.
“Asnjë ligj apo akt nënligjor nuk lë hapësirë për ta kufizuar këtë të drejtë”.
Tutje, ministrja Gërvalla pohon se plotësimi i hapësirave për votim jashtë vendit do të lehtësojë procesin, si një mundësi e shkëlqyer për të forcuar lidhjet me mërgatën tonë dhe për të inkurajuar pjesëmarrjen e tyre në proceset demokratike.
Në fund, Gërvalla ka bërë thirrje që KQZ të shqyrtojë kërkesën deri më datë 2 dhjetor 2024.