Dy ndërtesa banimi janë goditur nga dronët në qytezën Kotovsk në rajonin Tambov në perëndim të Rusisë. Për pasojë, disa njerëz janë plagosur, tha mëngjesin e së shtunës guvernatori i rajonit, Evgeny Pervyshov.
Pervyshov tha në Telegram se disa njerëz pësuan lëndime nga copëzat e xhamit dhe se po mjekohen. Ai shtoi se ndërtesat e goditura nuk u përfshinë nga zjarri dhe se pësuan vetëm dëme të vogla.
Video dhe fotografi nga incidenti, të cilat nuk janë verifikuar nga Radio Evropa e Lirë (REL), u postuan online nga banorët vendës, të cilët thanë se nuk u dëgjuan sirenat për sulme para se dronët të godisnin.
Agjencia ruse e lajmeve, TASS, tha se dronët u lëshuan nga Ukraina, por Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Ukrainase nuk ka raportuar ndonjë sulm me dron në rajonet ruse.
TASS shtoi se autoritetet në pjesë të tjera të Rusisë dhe në Krimenë e pushtuar nga Rusia gjithashtu raportuan sulme me dronë ukrainas natën mes 10 dhe 11 janarit, përfshirë në rajonin Krasnodar Krai, në lindje të Krimesë.
Shpërthime u dëgjuan gjithashtu në rajonet Kursk dhe Voronezh të Rusisë.
Guvernatori i Voronezhit, Aleksandër Gusev, tha se më shumë se 15 dronë u rrëzuan gjatë natës mes 10 dhe 11 janarit. Ai tha se nuk pati viktima apo dëme, raporton REL.
Dëshmitarët e ngjarjes raportuan gjithashtu se panë një zjarr në zonën e portit të Novorosiskut në Detin e Zi, dhe ura që lidh Rusinë me Krimenë u mbyll për më shumë se tri orë.
Guvernatori Vyacheslav Gladkov tha se disa dronë u shkatërruan në rajonin Kursk. Ai tha në Telegram se nuk pati viktima, por tri shtëpi private u dëmtuan.
Guvernatorët e rajoneve të tjera që u sulmuan me dronë nuk kanë komentuar për dëmet ose viktimat.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë gjithashtu nuk ka raportuar ende për rrëzimin e dronëve.