Live

Reagon ministri i Sportit, Hajrulla Çeku: Mbrëmë u mbrojt shteti i Kosovës

12:00 / 16 Nëntor 2024

Nga Kosova Live

Kombëtarja e Kosovës mbrëmë ishte mysafire e asaj të Rumanisë në Bukuresht.

Ndeshja nuk e pati fundin e lumtur për kombëtaren dardane, pasi futbollistët e Kosovës e lanë fushën më herët se që duhet.

Kjo pas thirrjeve raciste dhe anti-Kosovë në shkallët e stadiumit “Arena Nationala”.

Pas shumë tentimeve nga gjyqtarët, lojtarët dardanë s’pranuan të kthehen në fushën e lojës dhe kështu, gjyqtari kryesor i ndeshjes, Morten Krogh e përfundoi ndeshjen me vetëm kombëtaren e Rumanisë në fushën e blertë.

Për këtë situatë ka reaguar sot edhe ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Ai u shpreh krenar me veprimin e futbollistëve të Kosovës, duke thënë se mbrëmë u mbrojt shteti i Kosovës.

“Mbrëmë u mbrojt shteti i Kosovës. Racizmi nuk ka vend në sport.

E papranueshme dhe e trishtë ajo që ndodhi në Bukuresht në ndeshjen mes Kosovës dhe Rumanisë. Sërish mesazhe politike e brohoritje provokuese nga tifozëria rumune.

Qëndrojmë prapa djemve të Kosovës. Ngjarja e djeshme shkel thellësisht vlerat e sportit, i cili duhet të shërbejë për bashkim dhe jo për nxitjen e urrejtjes dhe përçarjes.

Ne dënojmë çdo formë të racizmit dhe fyerjeve ndaj shtetit tonë dhe apelojmë për masa nga institucionet ndërkombëtare të futbollit, për të mbrojtur integritetin e ngjarjeve sportive dhe për të ruajtur respektin dhe dinjitetin mes shteteve.

Ofrojmë gjithashtu mbështetjen tonë të plotë për Federatën e Futbollit të Kosovës të cilët kanë nisur përgatitjen e një ankese të plotë me fakte dhe prova që do t’i dorëzohen organeve disiplinore të UEFA-s.”, ka shkruar Çeku në “Facebook”.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...