Live

“Reduktimet si rezultat i zhvillimit ekonomik”, Bajrami: Qysh s’u vjen turp, ne këtu po jetojmë

15:08 / 27 Dhjetor 2024

Nga Kosova Live

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e ka pyetur kryeshefin ekzekutiv të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) Evetar Zeqiri, se a nuk po i vjen turp për deklaratën se mungesa e energjisë elektrike është si pasojë ngarkesës së rrjetit për shkak të rritjes ekonomike viteve të fundit.

“Ne këtu po jetojmë, jemi banorë rezident jo korrespondent. Kjo tregon sa poshtë keni rënë në përpjekje për të fshehur dështimet e katër viteve”, ka shkruar ajo në platformën sociale, Facebook

Sipas saj faktet dhe të dhënat zyrtare tregojnë krejt të kundërtën e deklaratave të llojit se ka rritje ekonomike në vend.

“Shpenzimi i energjisë nga familjet përbën rreth 60% të totalit, ndërsa shpenzimi nga biznesi është 39.8%, për krahasim shpenzimi nga bizneset është pak më i ulët se në vitin 2020 kur ishte 39.9%. Pra, nuk ka ngarkesa nga ekonomia”.

Reduktimet, sipas saj, nuk janë pasojë e rritjes ekonomike, por e mungesës së planifikimit dhe investimeve nga institucionet qeveritare.

“Katër vjet zero investime në kapacitete gjeneruese, politika pro importit të energjisë elektrike duke përfshi edhe politikat për efiçiencë”, ka shtuar ajo.

Shumë Komuna të Kosovës po përballen me reduktime të kohëpaskohshme të energjisë elektrike, e cila do të zgjasë edhe gjatë javës tjetër, ndërkohë autoritetet kosovare nuk po mund të ofrojnë zgjidhje për këtë çështje, ndërsa arsyetimet që po artikulohen janë nga më të ndryshmet e më banalet.

Së fundmi në një konferencë për media, kryeshefi i ekzekutiv i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) Evetar Zeqiri, vlerësoi se mungesa e energjisë elektrike nuk është si pasojë e mungesës së prodhimit të saj, por si rezultat i “ngarkesës së jashtëzakonshme” në rrjet.

E kjo ngarkesë e papërballueshme, sipas kryeshefit, vije si rezultat i “zhvillimit ekonomik që ka ndodhur në vitet e fundit”, i cili rrjedhimisht ka shtuar kërkesën për energji elektrike.

“Sistemi elektro-energjetik është duke u përballur me ngarkesë të jashtëzakonshme si rezultat i zhvillimit ekonomik që ka ndodhur në vitet e fundit”, tha ai në një konferencë për media.

Zeqiri njoftoi qytetarët se prodhimi i energjisë elektrike është në maksimum dhe se energjia e munguar po importohet nga jashtë.

“Ne po operojmë me katër blloqe, përveç një blloku që nuk është në funksion. Po ashtu KESCO-ja si përgjegjës për furnizim është duke importuar energjinë e munguar, dhe KOSTT-i është duke i shfrytëzuar të gjitha kapacitetet e tij balancuese me Shqipërinë që i kemi në dispozicion. Pra nuk bëhet fjalë për mungesë të energjisë, por ngarkesë e cila ka prekur cepin maksimal të rrjetit”, sqaroi ai.

Edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, u mjaftua me arsyetimin se reduktimet e energjisë elektrike janë si pasojë e shtimit të numrit të konsumatorëve në rrjetin elektroenergjetik, pa ofruar ndonjë zgjidhje konkrete për të dalë nga situata.

Sipas saj në tre vjetët e fundit në rrjet janë kyçur mbi 60 mijë konsumatorë të rinj, gjë që e ka ngarkuar rrjetin.

“Duhet ta keni parasysh që numri i ndërtimeve të reja, numri i konsumatorëve të rinj në Kosovë në vitet e fundit ka qenë tejet i lartë, 60 mijë amvisëri të reja janë kyçur në sistem për gjatë tri vjetëve të fundit dhe 8 mijë e 500 biznese”.

Ajo ndër të tjera si arsyetim përmendi edhe festat e fundvitit.

“Fundviti gjithashtu karakterizohet, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin edhe në Evropë, me një ngritje të konsumit”.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi që qytetarët e Kosovës të ulin konsumin e energjisë elektrike, sidomos në kohën e pikut, pa ofruar asnjë zgjidhje përveç thirrjeve që KOSTT e KEDS të kenë “përkushtim intensiv në terren” për zgjidhjen e problemeve teknike të rrjetit.

“Si çdo dimër paraprak qytetarët i lusim që të racionalizojnë konsumin e energjisë elektrike veçanërisht gjatë orëve 18:00 deri në mesnatë në të mirë të furnizimit”, ka thënë ai të premten, pas problemeve të theksuar të mungesës së energjisë elektrike në shumë komuna të Kosovës.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...