Live

Regjistrimi i diasporës, ASK angazhon ekspert të IT’së – do ta paguajë 10 mijë e 800 euro

18:46 / 19 Nëntor 2024

Nga Kosova Live

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka angazhuar një ekspert të IT’së lidhur me procesin e regjistrimit të diasporës. Kontratë e tij është për një periudhë 12 mujore dhe do të paguhet 10 mijë e 800 euro.

Në dosjen e tenderit të publikuar në e-Prokurim thuhet se ky ekspert do të ketë një rol kyç në zhvillimin, mirëmbajtjen dhe avancimin e sistemeve digjitale të regjistrimit, duke përfshirë monitorimin e vazhdueshëm të funksionalitetit të sistemit, sigurimin e mbrojtjes së të dhënave personale dhe përpunimin e saktë të tyre.

Ai do të ndihmojë në përgatitjen e raporteve periodike dhe përfundimtare.

“Për të garantuar realizimin e suksesshëm të regjistrimit te diasporës, është thelbësore mbështetja teknike dhe ekspertiza në fushën e IT-së. Eksperti i angazhuar do të ketë një rol kyç në zhvillimin, mirëmbajtjen dhe avancimin e sistemeve digjitale të regjistrimit, duke përfshirë monitorimin e vazhdueshëm të funksionalitetit të sistemit, sigurimin e mbrojtjes së të dhënave personale dhe përpunimin e saktë të tyre. Gjithashtu, eksperti do të ndihmojë në përgatitjen e raporteve periodike dhe përfundimtare, si dhe në integrimin e të dhënave me burime të tjera për të siguruar përputhshmërinë dhe saktësinë e rezultateve përfundimtare”, është përshkrimi i përgjegjësive të tij.

Këto përgjegjësi i janë besuar Valon Bejtullahut, derisa nënshkrimi i kontratës ka qenë i planifikuar të bëhet sot.

Procesi i regjistrimit të diasporës do të zgjasë deri në fund të vitit dhe bëhet online përmes portalit eDiaspora.

Nga ASK vazhdimisht u kanë apeluar mërgimtarëve të regjistrohen.

“Të nderuar pjesëtarë te diaspores, si pjesë e regjistrimit të popullsisë edhe regjistrimi i diasporës është vital dhe I rendësishëm, ju lutem ta shfrytëzoni ketë mundësi sepse kanë mbetur vetëm edhe disa ditë që mund të regjistroheni përmes sistemit online diaspora”, është postimi që është bërë sot në faqen e ASK.

Deri në muajin korrik ishin regjistruar rreth 600.000 pjesëtarë të diasporës.

Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave është zhvilluar në Kosovë nga 5 prilli deri më 24 maj.

Sipas të dhënave preliminare të publikuara në korrik, Kosova i ka 1.586.659 banorë rezidentë. Rezultatet e para përfundimtare pritet të publikohen pas një muaji, më 19 dhjetor.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...