Nesër në Kosovë pritet të kemi shtim të vranësirave dhe pastaj edhe reshje lokale. Reshjet do të intensifikohen orëve të pasdites, kurse vonë në mbrëmje depërtim i frontit të fuqishëm të ftohtë ajror me reshje të dendura bore. Reshje të dendura bore do të fillojnë në viset kodrinore-malore, pastaj edhe në shumë ultësira. Në zonat më të ulëta të Dukagjinit reshje shiu, por vonë gjatë natës ose herët në mëngjesin e së shtunës edhe atje mund të ketë reshje të përziera me borë.
Temperaturat deri në 10 Gradë Celsius, pastaj ulje e ndjeshme e tyre pas frontit të ftohtë vonë në mbrëmje ose rreth mesnatës.
Në Shqipëri nesër po ashtu do të ketë shtim të konsiderueshëm të vranësirave me reshje lokale shiu. Pasdite priten zhvillime të fuqishme të rrebesheve lokale të shiut me vetëtima dhe bubullimë në shumë zona bregdetare. Në viset tjera reshje e rrebeshe shiu, ndërsa borë vetëm në malet më të larta. Vonë rreth mesnatës reshje bore edhe në verilindje dhe lokalisht në lindje të Shqipërisë edhe në zona më të ulëta.
Edhe në Maqedoninë Veriore nesër pasdite vonë do të fillojnë reshje shiu, pastaj gjatë natës edhe reshje bore kryesisht në shumë zona kodrinore-malore. Reshje intensive shiu e borë gjatë natës së ardhshme priten edhe në Luginë të Preshevës.
Të shtunën ftohtë dhe me reshje bore në mëngjes dhe paradite. Pasdite reshjet pushojnë në tërë rajonin dhe mbetet ftohtë, në mbrëmje acar.
Të dielën pas një përmirësimi të shkurtër, pasdite vonë do të ketë shtim të vranësirave. Gjatë natës reshje të reja bore, por të cilat në disa zona mund të shndërrohen në shi gjatë dites së Hënë, pastaj prapë në borë të Hënën vonë.
Pra, para nesh një periudhë mjaft aktive dhe dinamike me reshje të shpeshta shiu e bore. Do të krijohen edhe shtresa bore në shumë vise të Kosovës. Atmosferë dimërore para nesh gjatë festave pas një kohë shumë të gjatë.