Ministria e Infrastrukturës, në krye me Liburn Aliun, e ka dhënë tashmë kontratën edhe për Lotin 2 të tenderit për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë. Ky Lot ishte anuluar pas ankesës që kishte dorëzuar në “Gjykatën e Tenderëve” kompania që kryesonte konsorciumin që këtë herë është shpërblyer me kontratë.
Vlera e kontratës është 16 milionë e 884 mijë e 480 euro dhe i është dhënë konsorciumit “DAMASTION PROJECT SH.P.K; Companya Eskavatori Sh.p.k: B FAMIS SH.P.K; ESKAVATORI MK L.L.C”, shkruan Reporteri.net.
Kontrata është dhënë para dy ditësh, e nënshkrimi i saj planifikohet të bëhet nesër.
Kontratat për dy lotet tjera, janë nënshkruar në gusht të këtij viti. Për Lotin 1, vlera e kontratës është 8 milionë, e për Lotin 3 vlera e kontratës është 8 milionë e 346 mijë e 804 euro.
Pse ishte anuluar Loti 2?
Me këtë kontratë ishte shpërblyer fillimisht konsorciumi “PRICOM SH.P.K; METAG INSAAT TICARET A.S; FS C ING SH.P.K; JAHA SOLAR”. Vlera e kësaj kontrate ishte 15 milionë e 605 mijë e 675 euro, apo 1.2 milion më lirë se kontrata që është dhënë tash.
Por, tenderi ishte pezulluar meqë konsorciumi “DAMASTON PROJECT SH.P.K; Companya Eskavatori Sh.p.k: B FAMIS SH.P.K; ESKAVATORI MK L.L.C” kishte dorëzuar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
OSHP më pas e kishte anuluar dhe kthyer në rivlerësim këtë Lot.
“Aprovohet si pjesërisht e bazuar, ankesa e OE “Damastion Project SH.P.K” e datës 19.04.2024 (Nr.2024/0344), kurse vendimi për dhënien të kontratës lidhur me aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i rrugës Prizren – Kufiri me Maqedoninë e Veriut (Tetovë), segmenti Struzhë – Kyçja në Auto-udhën dr. Ibrahim Rugova në Prizren – Jug, L=20.350km; Loti 2=L=6+525.00 km; anulohet dhe lënda për LOT 2, kthehet në ri-vlerësim”, thuhet në vendimin e OSHP’së”, thuhet në vendimin e OSHP’së.
Kompania që është ankuar për këtë lot “Damastion Project SH.P.K” kishte pretenduar se Ministria e Infrastrukturës ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Prokurim Publik, duke vendosur të rekomandojë operatorë ekonomikë që “janë të papërgjegjshëm dhe nuk kanë ofertuar konform kërkesave të dosjes së tenderit dhe njoftimit për kontratë”.
“Ankuesi (me të dhëna si më sipër) në pretendimin 1 thekson se AK për LOT 2 ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e LPP-së duke mos shqyrtuar fare pretendimet dhe argumentet tona, duke vendosur që të rekomandoj OE të cilët janë të papërgjegjshëm dhe nuk kanë ofertuar konform kërkesave të dosjes së tenderit dhe njoftimit për kontratë. Sipas ankuesi AK ka vepruar në kundërshtim me Procedurat e Prokurimit të përcaktuara në Rregulloren Nr.001/2022, Neni 45, Parag 45.31 dhe Parag. 45.32;Autoriteti Kontraktues nuk na ka lejuar të kemi qasje në Raport të Vlerësimit të këtij aktiviteti të prokurimit – dokument zyrtar i hartuar nga institucioni publik; ZPP në formularin e Raportit të Ri-Vlerësimit ku duhet të plotësoj me “PO” ose “JO” dorëzimin me sukses të dëshmive të Përshtatshmërisë nga OE Fitues, e ka lënë të zbrazur rubrikën, duke konfirmuar mos dorëzimin e tyre nga OE Fitues;Ekziston dyshimi i bazuar se Grupi I Operatorëve Ekonomik: “Pricom” SH.P.K. & “Metag Insaat Ticaret” A.S. & “FS C ING” SH.P.K. & “Jaha Solar” SH.P.K. janë shpërblyer me kontratë nga AK, duke mos i përmbushë kërkesat e përshtatshmërisë, në kundërshtim me dispozitat e LPP-së Nr.04/L-042, Neni 65”, pretendonte kjo kompani.
Ndryshe, në janar të këtij viti, është nënshkruar marrëveshja për bashkëfinancim të hartimit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Prizren-Tetovë.
Financimi i këtij projekti, përfshirë ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren, do të ndahet proporcionalisht në përputhje me gjatësinë e tij në secilën anë, ndërsa projektimi i secilës pjesë para dhe pas tunelit do të jetë i financuar nga palët përkatëse.
“Kjo rrugë krijon një lidhje të sigurt dhe të qëndrueshme mjedisore të transportit për njerëz dhe mallra, duke forcuar edhe ndërlidhjen midis parqeve kombëtare, destinacioneve turistike dhe korridoreve rrugore në mes Republikës tonë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ndërkaq, si lidhje e dy rrugëve në pikën më të afërt mes tyre, përveç se i ofron dy qytetet dhe dy shtetet tona, gjithashtu mundëson krijimin e një korridori rrugor të ri me ndikim në skenën rajonale të Ballkanit, duke i lidhur jo vetëm Prizrenin me Tetovën, por edhe Prishtinën me Durrësin dhe Tiranën, përmes autostradës “Ibrahim Rugova””, kishte deklaruar Ministri Liburn Aliu.