Shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuele Giaufret tha se BE-ja pret të shohë përparim në themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke shtuar se dialogu duhet të vazhdojë.
“Tani jemi në një situatë ku kemi disa marrëveshje të arritura, nga viti 2013 dhe 2015 dhe marrëveshjen për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve nga viti i kaluar. Tani është fjala për zbatimin e shumë detyrimeve. Çështjet kryesore janë në tryezë, të dyja palët kanë detyrime që duhet t’i zbatojnë”, tha Giaufret.
“Ne jemi duke diskutuar në kuadër të dialogut se si të vazhdohet. Dhe ky është mesazhi që u kemi përcjellë negociatorëve të të dyja palëve. Një nga aspektet kyçe është krijimi i Asociacionit. Evropianët kanë dhënë një draft të statutit dhe presim që të shih progres në themelimin e Asociacionit”, deklaroi ai.
Giaufret po ashtu tha se për Serbinë rruga drejt BE-së varet nga mormalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe harmonizimi me politikën e jashtme të BE-së.
Ai shtoi se përparimi do të varet nga suksesi në normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë.
“Edhe pse është një pyetje e vështirë, dialogu është i rëndësishëm. Zbatimi i marrëveshjes për rrugën e normalizimit, si dhe i marrëveshjeve të tjera, është shumë i rëndësishëm sepse janë pjesë e rrugës evropiane të Serbisë. Presim që përgjegjësit për dhunën në veri të Kosovës të sillen para drejtësisë”, tha Giaufret, duke shtuar se Serbia duhet të harmonizohet me politikën e jashtme të BE-së, gjë që do të monitorohet gjatë negociatave.