Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur për administratën e re të Trump në ShBA lidhur me raportet me Kosovën.
Hovenier tha se do të ketë një rishikim të politikave dhe ka të ngjarë disa ndryshime të politikave.
“Çështja Kosovë-Serbi nuk ishte aq lart në agjendë gjatë fushatës dhe asnjëri nga kandidatët nuk kishte ndonjë qëndrim shumë thelbësor për ndonjë ndryshim për këto çështje. Por, në mënyrë të pashmangshme, do të ketë një rishikim të politikave dhe ka të ngjarë disa ndryshime të politikave. Sikur Kamala Harris të ishte zgjedhur, ka të ngjarë të kishte pasur një rishikim të politikave dhe ndonjë ndryshim i tyre”.
Hovenieri foli edhe për çështjen e shkëmbimit territorial, e cila diskutohej në kohën e Administratës së parë të Trumpit, për të cilën tha se “nuk mendojmë që kjo është mënyra e duhur për të ecur përpara”.
“Nuk e di çka do të jetë e çka jo në tavolinë. Mund t’i shpreh politikat e kësaj administrate e që janë se nuk mendojmë që kjo është mënyra e duhur për të ecur përpara. Gjithashtu nuk mendojmë… është mjaft e qartë se popullatat e të dy vendeve nuk janë në favor të një zgjidhjeje të tillë”.
“Pra, nuk e shoh që do të funksionojë, por nuk jam në pozitë për të folur se cilat do të jenë prioritetet politike të administratës së ardhshme”, tha ai.