Policia e Kosovës ka konfirmuar shpërthimin që ndodhi sot në Kolegjin “Heimerer”, ku u lëndua një person.
Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, i ka thënë Reporteri.net se në koordinim me Prokurorinë po kryejnë hetimet e nevojshme për të zbardhur rrethanat si ka ndodhur rasti.
“Sot rreth orës 16:30, kemi pranuar informatën për një shpërthim në një objekt në rrugën “Kadri Zeka” në Prishtinë. Si pasojë e shpërthimit, lëndime ka pësuar një person i cili është dërguar për tretman mjekësor. Policia në koordinim me prokurorinë po kryejnë hetimet e nevojshme lidhur me këtë ngjarje”, ka thënë Ahmeti.
Në bazë të informacioneve të para, dyshohet se shpërthimi ka ndodhur kur punëtorët e një kompanie po riparonin një bombolë të oksigjenit që i furnizon sallat e kolegjit “Heimerer
Reporteri.net raportoi më herët se personi i lënduar, është një 44-vjeçar, i cili është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare.
Mjeku kujdestar në QUKUK, Ejup Govori ka thënë për gazetën online Reporteri.net se gjendja e të lënduarit është stabile.
Govori tha se pacienti ka pësuar lëndime të lehta nga shpërthimi.