Të rinjtë nga verilindja e Shqipërisë janë larguar në masë të madhe nga vendi i tyre, të joshur nga perspektiva e një jete më të mirë në Britaninë e Madhe. Por, tani janë duke u zhvilluar projekte të reja që synojnë t’u japin atyre një arsye për të qëndruar në vendlindje.
Rrugët e Bajram Currit janë shpesh të qeta dhe bosh.
Qyteti pothuajse është shteruar nga të rinjtë e tij.
Ata janë larguar nga Shqipëria verilindore për të kërkuar një jetë më të mirë jashtë shtetit – kryesisht në Mbretërinë e Bashkuar.
Shumë e bëjnë udhëtimin e rrezikshëm përtej Kanalit Anglez me varka të vogla për të hyrë në vend.
Dhe ka pasur një rritje të madhe të shqiptarëve që kalojnë detin nga Franca për në Angli.
Vetëm 50 shqiptarë kaluan në vitin 2020, ndërkaq më shumë se 12 mijë vitin e kaluar. Ata janë kryesisht burra të rinj, beqarë, sipas provave të paraqitura në Komisionin e çështjeve të brendshme të Parlamentit britanik.
Prindërit e këtyre të rinjve thonë se kanë bërë të pamundurën për t’i bindur të qëndrojnë në shtëpi.
“Gjithmonë jemi munduar t’i plotësonim nevojat e tij të përditshme, si libra, veshmbathje, ushqim e gjithçka tjetër, por ai gjithsesi ishte i pakënaqur. Vendimi i tij nuk u mirëprit nga ne prindërit. Ishte shumë e vështirë për ta pranuar, por nuk mund ta kundërshtonim”, ka thënë Monika Mulaj.
Britania është tërheqëse për shqiptarët, sepse ka një ekonomi më të mirë dhe punë më të paguara se vendet fqinje, si Greqia apo Italia.
Pak emigrantë kërkojnë vizë. Ata në përgjithësi u paguajnë kontrabandistëve nga 5 mijë deri në 20 mijë euro për kalimin e rrezikshëm dhe të paligjshëm.
Shumë prej tyre përfundojnë duke punuar deri në dy vjet në shtëpitë e kultivimit të kanabisit për të paguar paratë e trafikimit, sipas raportimeve nga mediat shqiptare.
Së fundmi janë duke u zhvilluar disa nisma për të ofruar më shumë mundësi në Shqipëri.
Një projekt britanik në Kukës mbështet bizneset e vogla dhe të mesme në turizëm dhe bujqësi dhe do të hapë një shkollë për profesione të ndryshme.
Qeveria shqiptare ka ofruar gjithashtu stimuj. Çiftet e reja që hapin një biznes të vogël do të përjashtohen nga taksat deri në tre vjet, dhe çiftet që kthehen nga Britania e Madhe do të marrin 5 mijë euro.
Elias Mazloum i Grupit të Investimeve për Zhvillimin Social të Shqipërisë ka projekte të lidhura me Irlandën.
Dhjetë kompani në Irlandë do të punësojnë 10 të rinj shqiptarë për të punuar nga distanca në një praktikë duke paguar 500 euro në muaj në vitin e parë. Pjesëmarrësit marrin një certifikatë nga Instituti i Marketingut Digjital të Irlandës dhe më pas punësohen nga distanca për 1000 euro në muaj.
Vizioni është që projekti të ndihmojë në krijimin e një ekosistemi të punës në distancë në rajon./AP