Live

“S’ka kohë për të humbur”, “Të veprohet në përputhje me të”, reagimet e ndërkombëtarëve pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese

11:59 / 09 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim të ri lidhur me ngërçin institucional, ku ka vendosur se deputetët duhet të zgjedhin Kryetarin e Kuvendit përmes votimit të hapur brenda 30 ditëve, teksa seancat e mbajtura deri tash janë shpallur të pavlefshme.

Pas këtij vendimi kanë reaguar edhe ndërkombëtarët të cilët kanë bërë thirrje partive të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë u ka bërë thirrje partive politike që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të punojnë për arritjen e një kompromisi dhe të shumicës së nevojshme, me qëllim që të ecet përpara me shpejtësi në procesin e zgjedhjes së Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit.

“Gjykata Kushtetuese ka folur dhe ka dhënë sqarime të rëndësishme. BE-ja u bën thirrje të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës që të respektojnë këtë vendim dhe të gjejnë kompromisin dhe shumicën e nevojshme për të vazhduar me shpejtësi procesin e zgjedhjes së Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit. Nuk ka më kohë për të humbur në një ngërç politik!”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Ambasada gjermane në Kosovë ka reaguar pas veendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me ngërçin institucional në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar nevojën për veprim të përgjegjshëm dhe bashkëpunim politik në funksion të zgjidhjes së situatës.

Ambasada Gjermane ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është procedural dhe tani u takon politikanëve që të veprojnë në përputhje me të.

“Ne e vlerësojmë që Gjykata Kushtetuese ka dalë me një vendim procedural. Tani politikanët duhet të veprojnë në përputhje me të, në mënyrë që kosovarët më në fund të marrin parlamentin për të cilin kanë votuar para gjashtë muajsh,” thuhet në deklaratën e ambasadës për RTK.

Gjithashtu, është bërë thirrje për gjetjen e një zgjidhjeje të realizueshme brenda afatit të përcaktuar kushtetues, si dhe për ndërtimin e një konsensusi që do t’i japë fund bllokadës politike.

“Ne presim një zgjidhje të realizueshme brenda afatit dhe u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë të veprojnë drejt një kompromisi,” përfundon reagimi.

Gjykatës Kushtetuese, sot vendosi që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta zgjedhin kryetarin e ri përmes votimit të hapur, ndërsa i njëjti kandidat mund të votohet vetëm deri në tri herë.

Sipas Kushtetueses, konstituimi i Kuvendit duhet të përfundojë brenda 30 ditësh.

Shpërndaje në

U Kopjua