Sudani ka urdhëruar partinë politike të diktatorit të rrëzuar nga pushteti, Omar al-Bashir, që të shpërbëhet dhe asetet t’i konfiskohen, teksa ky shtet i Afrikës verilindore ka marrë një tjetër hap drejt demokracisë, pas disa mujave të protestave.
Autoritetet e reja po ashtu kanë shfuqizuar një ligj të kohës së Bashirit për të rregulluar sjelljen dhe veshjen e grave.
Në dekret është thënë se “Partia e Kongresit Kombëtar do të shpërbëhet dhe regjistrimi i saj do të anulohet nga lista e partive politike në Sudan”, duke shtuar se një komiteti do të formohet për të konfiskuar të gjitha pronat dhe asetet.
Bashir me partinë e tij kanë udhëhequr shtetin nga 30 qershori i vitit 1989, para se të nisin protestat për largimin e tij nga pushteti më herët gjatë këtij viti.
Pas largimit të Bashirit dhe disa javëve të protestave pro-demokracisë, gjeneralët e Sudanit patën arritur një marrëveshje në korrik për ndarje të pushtetit dhe liderët e protestave, në mënyrë që të mos përshkallëzohet më shumë situata.
Bashir fillimisht ka qenë në arrest shtëpiak dhe më pas është transferuar në burgun në Kartum.
Protestuesit kanë kërkuar që ai të dërgohet në Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë, ku përballet me akuza duke përfshirë krime kundër njerëzimit.