Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Abelard Tahiri, ka kërkuar që projektligji për Buxhetin të mos vihet fare në votim në lexim të dytë.
“Tashmë kanë dalë një mori e planifikimeve kriminale duke filluar nga Ministria e Bujqësisë që janë planifikuar nga viti 2023 për vitin 2024 dhe fatkeqësisht ato projekte do të vazhdojnë edhe për vitin 2025. Votimi i këtij projektbuxheti do të thotë mbështetje e një planifikimi kriminal mbi ato subvencione dhe grante që janë të planifikuara dhe tashmë kanë filluar t’i marrin paratë pikërisht ata njerëz që janë të involvuar në këto skema kriminale dhe votimi i këtij buxheti do të thotë mbështetje e këtyre skemave kriminale”, ka thënë Tahiri.
Ai e ka quajtur atë “buxhet të kontaminuar”.
Tahiri tha se projektbuxheti për vitin 2025 duhet ti nënshtrohet një diskutimi të thellë por jo në afate të përshpejtuara dhe procedura të shkurtuara.
“Sepse në leximin e parë kur ka ndodhur votimi ne nuk i kemi pasur të njohura faktet që kanë dalë më tutje se si familjarë të deputetëve, ministrave, të zyrtarëve të Qeverisë kanë përfituar qindra-mijëra euro nga buxheti i vitit të kaluar në qato skema kriminale”, vazhdoi Tahiri.