Talebanët afganë urdhëruan sot luftëtarët e tyre të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion për prishjen e zgjedhjeve presidenciale që do të zhvillohen në fund të kësaj jave.
Grupi militant deklaroi se do të sulmojë forcat e sigurisë në qendrat e votimit dhe do të bllokojë rrugët për të ndërprerë votimin.
Gjithashtu shtoi se për sigurinë e tyre, banorët duhej të qëndronin në shtëpi.
Talebanët kanë hedhur poshtë zgjedhjet presidenciale si një komplot për zbatimin e qëllimeve të pushtuesve të vendit.
Kërcënimi vjen pasi miliona qytetarëve afganë iu bë thirrje të votonin të shtunën.
Në fillim të kësaj jave, Misioni i Ndihmës i Kombeve të Bashkuara në Afganistan (UNAMA) u kërkoi të gjitha partive të krijonin kushte që qytetarët afganë të votojnë në mjedis të sigurt.
Kreu i misionit të OKB në Afganistan, Tadamichi Yamamoto, u bëri thirrje talebanëve të ndërpresin çdo aktivitet që do të pengojë zgjedhjet.
Sipas UNAMA, dita e parë e zgjedhjeve parlamentare në tetor të vitit të kaluar ishte dita me numrin më të madh të viktimave civile.
Zgjedhjet presidenciale po mbahen një muaj pasi bisedimet midis SHBA-së dhe talebanëve u anulluan nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Që nga korriku i vitit 2018, SHBA dhe talebanët kanë qënë duke diskutuar një zgjidhje politike për një konflikt që filloi menjëherë pas sulmeve terroriste në SHBA më 11 shtator 2001.